Ukshini për deklaratën e ambasadorit gjerman: Politike dhe e panevojshme nga një vend sponsor i Speciales
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Rudolf Rajner, i cili tha se Kosova duhet të respektojë çdo vendim të Gjykatës Speciale. Përmes një postimi në Facebook, Ukshini e ka cilësuar këtë deklaratë si të panevojshme dhe politike në një proces gjyqësor. “Deklarata e ambasadorit gjerman…
Lajme
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Rudolf Rajner, i cili tha se Kosova duhet të respektojë çdo vendim të Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Ukshini e ka cilësuar këtë deklaratë si të panevojshme dhe politike në një proces gjyqësor.
“Deklarata e ambasadorit gjerman në Kosovë, Rudolf Rajner, se Kosova duhet të respektojë çdo vendim të Gjykatës Speciale, duket e panevojshme sepse është deklaratë politike në një proces gjyqësor nga ambasadori i një vendi që është sponsor i Gjykatës Speciale”, ka shkruar ai.
Ukshini ka kritikuar qasjen e Gjermanisë, duke e lidhur mbështetjen ndaj kësaj gjykate me raportin e Dick Marty, për të cilin pretendon se është iniciuar nga ndikime ruse dhe serbe.
“E treta, është shumë e habitshme që politika gjermane në Evropë në vitet e fundit ka tentuar të shkëputet nga ndikimi rus, por në Kosovë ajo shpërfaqet si mbrojtësja më e madhe e trashëgimisë së raportit të Dick Marty-t, raport i iniciuar dhe sponsorizuar nga Kremlini dhe Beogradi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai përmend edhe çështjen e standardeve të dyfishta, duke thënë se Gjermania nuk respekton aktakuza të Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ukshini ka theksuar se të akuzuarit nga Kosova kanë respektuar Gjykatën Speciale dhe kërkon përgjigje nga BE-ja dhe Gjermania për fatin e raportit të Dick Marty-t, duke e quajtur këtë një borxh ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Kjo është përgjigjja e vetme që BE-ja dhe Gjermania ia kanë borxh Kosovës dhe qytetarëve të saj. Një përgjigje e drejtë dhe e paanshme është kontribut për heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe për krejt vuajtjet e gjata të popullit shqiptar në Kosovë. Ky ishte premtimi që partnerët e Kosovës, përfshirë Gjermaninë, i dhanë Kosovës, dhe deri më tani ata i kanë injoruar premtimet dhe zotimet e tyre”, ka shkruar Ukshini.