Ringritet Xhamia e Ibrit, Qeveria dhe BIK nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se do të nisë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, një monument me rëndësi historike dhe kulturore, i ndërtuar në vitin 1777 dhe i djegur më 2 maj 1999 gjatë luftës. Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe…

Lajme

02/05/2026 17:30

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se do të nisë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, një monument me rëndësi historike dhe kulturore, i ndërtuar në vitin 1777 dhe i djegur më 2 maj 1999 gjatë luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të kësaj xhamie, në prani të Myftiut Naim Tërnava, kryeimamit Vedat Sahiti dhe ministres Saranda Bogujevci.

Sipas tij, me këtë memorandum, Qeveria e Kosovës merr përsipër të mbështesë ringritjen e këtij objekti me vlerë të veçantë për trashëgiminë kulturore të vendit.

Në vijim, është nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësia Islame e Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.

Kurti theksoi se këto angazhime janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, veçanërisht pas dëmeve të mëdha të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Ai shtoi se investimet në këtë sektor do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, me synim ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të vendit. /Lajmi.net/