Qeveria: Senatori Murphy i tha Kurtit se kompani amerikane janë të interesuara për investim në Kosovë

Në ditën e dytë të qëndrimit në Uashington, kryeministri Albin Kurti është takuar me senatorin Chris Murphy, me të cilin diskutoi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet vendeve.

Lajme

19/05/2022 19:06

Kurti e njoftoi senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë në SHBA, me theks tek ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit.

“Ndërsa, senatori amerikan tha se vizita e kryeministrit Kurti është rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”, tha Qeveria në njoftim.

“Ai gjithashtu e njoftoi kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë”, tha tutje Qeveria në komunikatë.

Ndryshe, kryeministri Kurti e kishte pritur në vizitë në Kosovë senatorin Murphy në prill të këtij viti. /Lajmi.net/