Policia: Manifestimet e “vidovdan-it” kanë shkuar qetë dhe pa incidente

Sot janë mbajtur manifestimet e “vidovdan-it”, ku serbët e shënojnë si ditë të shenjtë Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër osmanëve. Manifestimet e “vidovdan-it”, mbahen çdo vit në Gazimestan të Obiliqit, ku serbët mblidhen dhe e përkujtojnë këtë ditë, që sipas tyre, kanë luftuar serbët kundër osmanëve. Ndërsa për këtë manifestim, Policia e Kosovës…

Lajme

28/06/2024 16:35

Sot janë mbajtur manifestimet e “vidovdan-it”, ku serbët e shënojnë si ditë të shenjtë Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër osmanëve.

Manifestimet e “vidovdan-it”, mbahen çdo vit në Gazimestan të Obiliqit, ku serbët mblidhen dhe e përkujtojnë këtë ditë, që sipas tyre, kanë luftuar serbët kundër osmanëve.

Ndërsa për këtë manifestim, Policia e Kosovës ka dalë me një raport. Aty thuhet se manifestimi ka shkuar pa incidente dhe qetë, raporton lajmi.net.

Njoftimi i plotë:

Ju njoftojmë se lidhur me manifestimet e “vidovdan-it” mbajtur sot me datë 28.06.2024, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarr masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore.

Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. /Lajmi.net/