Përplasen Tahiri e Haxhiu në Kuvend pas vr*sjes së Arlindës, debatojnë për dorëheqjet dhe përgjegjësinë institucionale

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, janë përplasur gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë dhe përgjegjësinë institucionale për rastet e vrasjeve të grave. Tahiri ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke thënë se kjo do…

Lajme

26/10/2026 19:23

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, janë përplasur gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë dhe përgjegjësinë institucionale për rastet e vrasjeve të grave.

Tahiri ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke thënë se kjo do të ishte një akt moral pas rasteve të tilla.

“Nuk është sot temë analizë statistikore, kush ka bërë e kush nuk ka bërë. Për 11 vjet janë vrarë 47 gra. Prej vitit 2022 deri në 2026 janë vrarë 20 gra. Nëse i përkthejmë në vite, është skandaloze dhe është përgjegjësi institucionale”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka këmbëngulur se institucionet duhet të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi.

“Duhet reflektim, përgjegjësi dhe Gërvalla duhet të japë dorëheqje si akt moral. Duhet veprime konkrete dhe duhet përgjegjësi morale. Përgjegjësia morale është dorëheqje”, ka thënë Tahiri.

Ndaj tij ka reaguar Albulena Haxhiu, e cila ka përmendur rastet e vrasjeve të grave gjatë vitit 2019, duke vënë në pikëpyetje nëse përfaqësuesit e opozitës kishin kërkuar dorëheqje në atë kohë.

“Pesë gra janë vrarë në vitin 2019. Kush nga ju ka dhënë dorëheqje? Kush nga ju keni folur në Kuvend për këto vrasje? Asnjëri nuk keni folur. Kam qenë ministre dhe e di shumë mirë çka keni bërë”, është shprehur Haxhiu.

Debati mes tyre u zhvillua në një seancë ku vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur kërkesa për llogaridhënie dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave. /Lajmi.net/