Lajmërohet Donika Gërvalla – Përkujton heroin Afrim Bunjaku dhe thotë se BE-ja s’duhet t’i mbyllë sytë për sulmin në Banjskë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij gjatë sulmit në Banjskë. Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka kujtuar Bunjakun dhe pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës që u përballën me sulmin e 24 shtatorit 2023. “Atë mëngjes, në…
Lajme
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij gjatë sulmit në Banjskë.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka kujtuar Bunjakun dhe pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës që u përballën me sulmin e 24 shtatorit 2023.
“Atë mëngjes, në një sulm të organizuar, të udhëhequr dhe të financuar nga Beogradi, në mbrojtje të Republikës, të ligjit, të sovranitetit dhe të qytetarëve të këtij vendi, ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se sulmi i 24 shtatorit 2023 kishte për qëllim cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Duke folur për vendosjen e drejtësisë, Gërvalla ka thënë se, tre vjet pas sulmit, drejtësia ka filluar të flasë me dënimin e tre prej personave të përfshirë në sulm.
“Edhe të tjerët nuk kanë ku të fshihen përgjithmonë. Radoiçiqi, kryekrimineli i sulmit të Banjskës, kreu në hije i Listës Serbe dhe njeriu që udhëhoqi sulmin, ende fshihet i lirë në Serbi, në gjirin e Vuçiqit në Beograd. Ai iku nga Kosova, por nuk mund t’i ikë përgjithmonë përgjegjësisë e drejtësisë”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të kërkojë nga Serbia ekstradimin dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve për sulmin në Banjskë.
“Në vend të përsëritjes së frazave boshe, BE-ja duhet të kërkojë qartë dhe pa ekuivok nga Vuçiqi ekstradimin dhe ndëshkimin e gjithë përgjegjësve të Banjskës. SERBIA DUHET T’I DORËZOJË. TË GJITHË. Vetëm kështu mund të vendoset drejtësia”, ka thënë ajo.
Në fund, Gërvalla ka theksuar se Kosova nuk do ta harrojë Afrim Bunjakun dhe pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës që u përballën me sulmin.
“Atë mëngjes ne humbëm një Hero. Por mbi agresionin, krimin e terrorin fitoi Kosova, fitoi Republika. Fitoi e drejta dhe e vërteta. Dhe në fund, do të triumfojë edhe drejtësia”, ka deklaruar Gërvalla.
Ndryshe, që nga shpallja e verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator, Gërvalla nuk ka bërë ndonjë reagim publik lidhur me këtë çështje. Gjykata atë ditë dënoi me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. /Lajmi.net/