Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe Paunoviq që tha se do të bënte spastrim etnik në Kosovë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se “Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998. Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë…

Lajme

16/07/2026 15:19

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se “Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.

Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit.

“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.

“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, ka shtuar Gërvalla.

Ajo ka thënë se në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e çdo qytetari të saj dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, ka shtuar e para e Drejtësisë në vend. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: