Deputetët njëzëri kundër Gjykatës Speciale – Çfarë përmban rezoluta që u miratua nga 99 deputetë?

Në sallë erdhën 99 deputetë. Mirëpo, shumica nga ta me një orë e gjysmë vonesë, nga koha kur do të duhej të niste seanca. Megjithatë, për vonesën deputetët patën një arsye. Harmonizuan deklaratën e përbashkët në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Kuvendi i Republikës së Kosovës,…

Lajme

28/09/2026 23:40

Në sallë erdhën 99 deputetë.

Mirëpo, shumica nga ta me një orë e gjysmë vonesë, nga koha kur do të duhej të niste seanca.

Megjithatë, për vonesën deputetët patën një arsye. Harmonizuan deklaratën e përbashkët në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.

KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, tha Haxhiu.

Përmes kësaj deklarate kërkohet nga Dhomat e Specializuara që ta respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit.

“Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.

KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis”, u shpreh tutje Haxhiu.

Miratimi i kësaj deklarate u bë me 99 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër.

Në sallë nuk ishin prezent deputetët e Listës Serbe.

E pas kësaj, deputetët votuan edhe për nënkryetarin e dytë të Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Me 95 vota për, Vlora Çitaku u votuan për nënkryetare.

Në këtë seancë u betuan edhe 19 deputetët e rinj të legjislaturës së XI-të, të cilët kanë zëvendësuar anëtarët e kabinetit qeveritar.

Gjithashtu, në këtë seancë janë formuar edhe 16 komisione parlamentare.