Çitaku: Nuk e kemi sulmuar asnjëherë LDK-në, hendeku me VV-në është shumëvjeçar

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk ka sulmuar asnjëherë LDK-në dhe asnjë subjekt tjetër opozitar. Çitaku theksoi se kjo qasje është pjesë e angazhimit të PDK-së për një politikë konstruktive dhe respektuese ndaj të gjitha subjekteve politike në vend. ”Vërtetë nuk e kemi sulmuar asnjëherë jo vetëm LDK-në por asnjë subjekt…

Lajme

01/04/2025 22:24

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk ka sulmuar asnjëherë LDK-në dhe asnjë subjekt tjetër opozitar.

Çitaku theksoi se kjo qasje është pjesë e angazhimit të PDK-së për një politikë konstruktive dhe respektuese ndaj të gjitha subjekteve politike në vend.

”Vërtetë nuk e kemi sulmuar asnjëherë jo vetëm LDK-në por asnjë subjekt tjetër opozitar”, tha Çitaku.

Çitaku ka theksuar rëndësinë e kompromisit në politikë, duke pohuar se PDK-ja ka qenë e gatshme të ofrojë ndihmë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tutje ajo ka shtuar se nuk ka pasur bashkëpunim efektiv në këtë drejtim.

”Kompromisi në politikë është i domosdoshëm. Në politikë duhet të bësh kompromis edhe kur ke të drejtë 100%. Ne kemi qenë shumë të butë, jemi munduar shumë që ta shtrijmë dorën e bashkëpunimit. Unë kam ofruar ndihmë për ministren e jashtme që të shkoj t’i ndihmojë në procesin e  anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës”, tha Çitaku, teksa ka shtuar se lidhur me këtë çështje ishte ”përgjigje negative”.

Çitaku ka deklaruar se PDK-ja ka realizuar disa takime formale me partitë e tjera të bllokut opozitar, përfshirë takime në nivel kryetarësh dhe në nivele të tjera.

Megjithatë, ajo theksoi se partitë opozitare janë të ndara dhe ruajnë subjektivitetin e tyre, duke pasur dallime në tempo dhe dinamikë, pavarësisht objektivave strategjikë të përbashkët.

Çitaku theksoi se bisedimet janë në fazat e hershme dhe nuk mund të flitet për ndonjë bashkëpunim të konsoliduar ende.

”Ka pasur takime formale, mes PDK-së dhe partive tjera të bllokut opozitar. Nuk ka qenë një takim, por disa takime edhe në nivel të kryetarëve të partive, por edhe në nivele të tjera. Partitë opozitare janë të ndara dhe kanë subjektivitetin e tyre, ndonëse ne mund te kemi objektivin e njëjte strategjik, po mund të dallojmë edhe në tempo dhe dinamikë. PDK ka pasur takime janë në fazë të hershme të bisedimeve dhe nuk mund të thuhet se ka ndonjë bashkëpunim”, tha Çitaku, për RTV21.

Ajo është shprehur qartë se PDK-ja dhe VV-ja janë shumë të largëta nga një mundësi bashkëqeverisjeje, duke theksuar dallimet e thella mes dy partive.

Ajo theksoi se PDK-ja nuk hyn në qeveri për të marrë pozita, por për të udhëhequr projekte zhvillimore, dhe se është e pamundur për ta arritur një dakordim për një program të përbashkët zhvillimor.

Sipas Çitakut, nëse VV-ja nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë mundësia do të kalojë te PDK-ja.

”Jemi shumë të largët, në vazhdimisht kemi qenë të kujdesshëm nuk duam t’i fyejmë qytetarët që e kanë votuar VV, por kemi dallime shumë të thella dhe nuk e shohim asnjë mundësi të qeverisim së bashku. Nuk qeveriste për të marrë një pozitë. Qeveriset për të udhëhequr një projekt një platformë ne nuk hyjmë në qeveri as për ta bërë dikë kryeministër e as ministër, në qeverisje hyhet nëse beson në një projekt të përbashkët zhvillimor dhe është e pa mundur që PDK të dakordohet me VV për një program zhvillimor, por le të vazhdojnë ata. I kanë  mundësitë e tjera nëse nuk e bëjnë qeverinë për çka ne jemi të sigurt se në rrethanat që jemi nuk munden, dhe le të vijë radha te ne”, tha Çitaku.

Ajo ka thënë se PDK-ja nuk ka pasur asnjë diskutim me VV-në.

Ajo ka theksuar gjithashtu se ka një hendek të thellë dhe shumëvjeçar mes VV-së dhe PDK-së, i cili është krijuar gjatë viteve të kaluara. Çitaku e ka cilësuar këtë periudhë si një përpjekje të njëanshme për të përmbyllur ciklin e vrazhdë të politikës ndërmjet dy partive.