Bllokada e kufijve, OEA paralajmëron për pasojat që mund të vijnë: Komisioni Evropian urgjent të gjej zgjidhje
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është shprehur e shqetësuar në lidhje me çrregullimet në lëvizjen e mallrave mes BE-së, koridoreve rajonale të transitit dhe Kosovës. Oda Ekonomike Amerikane, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian, që të angazhohet urgjentisht për të gjetur një zgjidhje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që ka thënë se…
Lajme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është shprehur e shqetësuar në lidhje me çrregullimet në lëvizjen e mallrave mes BE-së, koridoreve rajonale të transitit dhe Kosovës.
Oda Ekonomike Amerikane, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian, që të angazhohet urgjentisht për të gjetur një zgjidhje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që ka thënë se ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zingjirët ndërkufitarë të furnizimit.
“Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave. Lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së. Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë”, ka shkruar OEA
Ata kanë thënë se duke pas pararysh varësinë që ka Kosova nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, këto ndërprerje të zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset dhe kontribuojnë në rritje të çmimeve për konsumatorët.
“Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së”, ka shkruar OEA në komunikatë. /Lajmi.net/