Abdixhiku: Presidenca duhet të mbetet institucion i unitetit dhe ndarjes së pushteteve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe stabilitetin institucional. Sipas Abdixhikut, takimi është mbajtur në ambientet e…

Lajme

23/02/2026 18:16

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe stabilitetin institucional.

Sipas Abdixhikut, takimi është mbajtur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa procesi i zgjedhjes së presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor, me më pak se nëntë ditë në dispozicion për arritjen e një zgjidhjeje.

Ai ka theksuar se në këtë periudhë kërkohet përgjegjësi e lartë politike, qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale.

Abdixhiku ka nënvizuar se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse.

Sipas tij, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme: një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për president, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare. Në të dyja rastet kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.

Abdixhiku ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet asnjëra nga këto zgjidhje, vendi mund të shkojë në zgjedhje, një skenar që, sipas tij, është i panevojshëm në këtë kohë.

Ai ka shtuar se LDK do të veprojë me përgjegjësi shtetërore, transparencë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/