Abdixhiku përmend punët e LDK-së për arsimin në kryeqytet: Krahasojeni me dështimet spektakolare në nivel qendror
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përmendur disa nga punët e mira të quajtura sipas tij për arsimin në kryeqytet. Ai përmes një postimi në Facebook, ka përmendur mësimin gjithëditor, shujtat e ngrohta për nxënësit e organizimin e orareve për ta. “Shihni punën e madhe për sigurimin e shujtave TË NGROHTA për…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përmendur disa nga punët e mira të quajtura sipas tij për arsimin në kryeqytet.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka përmendur mësimin gjithëditor, shujtat e ngrohta për nxënësit e organizimin e orareve për ta.
“Shihni punën e madhe për sigurimin e shujtave TË NGROHTA për fëmijët tanë. Nuk bëhet fjalë për kifle me jogurt, por për ushqime të përgatitura me nutricistë për secilën ditë. Shihni angazhimin e madh në Kuzhinën Qendrore e në kuzhinat e reja të shkollave që fëmijët të ushqehen mirë në shkollë! Shkolla me kuzhina – ushqime të ngrohta e shëndetshme për fëmijë! Shihni punën e madhe të bërë në renovimin e modernizimin e hapësirave, me laboratorë, tabela dixhitale, në vend të dërrasave me shkumës, e me klasë të standardeve më të larta evropiane! Me rafte të dedikuara për secilin fëmijë që librat të mbahen aty jo në çanta të rënduara mbi kurriz! Shihni riorganizimin e plotë të shkollave e orareve, në mënyrë që nxënësit tanë të qëndrojnë si bashkëmoshatarët e tyre evropian, gjithë ditën në shkollë. JO MË KATËR ORË! T’i bëjnë detyrat aty, të kenë aktivitete aty, të jenë të përkujdesur aty – në shkollë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai derisa e ka lavdëruar drejtoreshën e Arsimit në kryeqytet, Jehona Lushaku-Sadriun ka thënë që punët e mira të saj duhet t’i krahasoni me dështimet e Qeverisë.
“Tani krahasojeni këtë punë, për vetëm 6 muaj kohë, me dështimet spektakulare në nivel qendror, ku popullizmi me gjithë atë buxhet e mundësi shtetare, ofron radhë të gjata pritjeje, maltretime e përfundimisht vonesa në sigurimin e librave – PA ASNJË NEVOJË! Unë dhe LDK e kemi të qartë rrugën përpara. I kemi të qarta dhe nevojat por dhe zgjidhjet moderne që ju duhen sot. Të tilla që lënë shenja e jo sharje. Që krijojnë ndryshim e nuk ju mbajnë peng në terrin e urrejtjes e përçarjes. ‘Rruga e Re’ dhe modeli ynë në arsim – sikurse Reforma e Jehonës në Prishtinë – synon të zhvendoset në çdo qytet anembanë. Në programin tonë kemi elaboruar reformën në hollësi. Për këtë nuk kemi vetëm zotim, por dëshmi praktike që e shihni këtë vit – për herë të parë – në Prishtinë”, ka shtuar ai. /lajmi.net/
Postimi i tij i plotë në Facebook: