18 të lënduarit në aksidentin e Drenasit po trajtohen në QKUK, njëri rënd

18 qytetarë të Drenasit, shumica nxënës të shkollave të mesme kanë mbetur të lënduar nga një aksident i ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Drenas.

Lajme

14/09/2015 15:50

Aksidenti ka ardhur pas përplasjes së një kamioni me fugonin që transportonte nxënësit.

Drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, thotë se vetëm njëri prej nxënësve, 15 vjeçar ka lëndime më të rënda ndërsa 17 të tjerët do të lirohen në shtëpi pas ekzaminimeve.

Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku i ka thënë KosovaPress-it se aksidenti ka ndodhur në fshatin Dritan, ish – Dobroshec, dhe gjendja e të lënduarve, përpos njërit prej nxënësve është jashtë rrezikut për jetë.

Aksident në Drenas

Lenjani për KosovaPress tha se 17 të lënduarit do të lirohen për në shtëpi, ndërsa një i lënduar do të hospitalizohet në klinikën e Traumatologjisë në Ortopedi për të marr trajtim të mëtutjeshëm në këtë klinikë.

“Si pasojë e aksidentit të Komunikacionit i cili ka ngjarë në aksin rrugor Drenas-Prishtinë. Gjithsej Klinika Emergjente ka pranuar 18 të lënduar, janë pranuar, absorbuar, diagnostifikuar dhe ende po trajtohen në Klinikën Emergjente. 17 prej të lënduarve do të lirohen në shtëpi pas ekzaminimeve plotësuese dhe konsulencave mjekësore, ndërsa një i lënduar pritet të hospitalizohet për shkak të lëndimit të pervikut të kofshës që kërkohet trajtim i mëtutjeshëm në Klinikën e Traumatologjisë në Ortopedi. Të lënduarit i përkasin qytetarët e Drenasit, janë nxënës edhe studentë, janë grupe të përziera që mbi 50 për qind i takojnë nxënës”, tha Lenjani.

2

Bekim Kurteshi vëllai i Muzafer Kurteshit e lënduara nga aksidenti tregoi për KosovaPress se motra e tij bashkë me djalin dhe vjehrrën gjendeshin në fugonin e aksidentuar. Ai tha se gjendja shëndetësore nuk është edhe aq e mirë.

“Në aksidentin që ka ndodh në Drenas atje, motrën e kam pas, më lajmërun që ka pas një aksident një kamion i kish ra një kombibusi, kombibus ish kanë me plotë udhëtarë me nxënës. Motra ka qëlluar aty me vjehërr edhe me djalë. Nuk janë mirë hiç nuk është mirë..Vjehrrën ja lëshuan tash, po gjaku nuk ju ndalke, u deshtë me kthy brenda te doktori me kontrollu edhe një herë”, tha Kurteshi për KosovaPress.

Të lënduarit të cilët po trajtohen në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë vizituar edhe nga Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku. Demaku tregoi që të lënduarit do të lirohen për në shtypit e tyre por jo edhe 15 vjeçari i cili është në gjendje me të rëndë dhe i duhet trajtimi me i Gjatë mjekësor. Ai tha se transporti në të cilën gjendeshin 18 të lënduarit ka qenë transport i rregullt, e jo i organizuar.

“Gjendja është e mirë në përjashtim një rast kërkohet një trajtim më afatgjatë , tjerët pritet që brenda ditës të lirohen dhe të kthehen në shtëpi…numri i të lënduarve është 18, mes tyre ka pas edhe nxënës për shkak se transporti ka qenë i rregullt nuk ka qenë transport i organizuar prej komunës për bartjen e nxënësve…ka pas nxënës edhe të shkollës së mesme. Rasti që kërkon trajtim një trajtim pak më të gjatë është një djalë 15 vjeçar por nuk ka diçka rrezik vetëm se kërkohet trajtim”, tha Demaku për KosovaPress.

18 të lënduarit në aksidentin e sotshëm rrugor i ka vizituar edhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit Sadik Tahiri. Ai tha se aksidenti që ka ndodh është shqetësuese, dhe tha se mirë që të gjithë të aksidentuarit janë në gjendje të mirë, por ai tha se polica duhet të merret me situatën se si ka ardh deri te aksidenti. /Kosovapress