12 Years a Slave

Njëri nga tregimet për egërsinë njerëzore.

ShowBiz

12/01/2014 21:00

Steve McQueen është në rrugë të mirë për të hyrë në histori.

Ai mund të bëhet regjisori i parë zezak fitues i Çmimit Oscar.

Por, nëse ndodh kjo, ai do të jetë edhe regjisori i parë që gjithashtu e ka fituar edhe Çmimin më të rëndësishëm britanik në artet vizuale – Turner, i cili iu dha në vitin 1999, për videon e bazuar në një film të Buster Keaton. Atë vit ishte në konkurrencë me artisten Tracy Emin, dhe veprën e saj kontraverse The Bed.

Bazuar në memoaret e Solomon Northup, të shkruara në shekullin 19, filmi 12 Years a Slave paraqet telashet e një familjari, zdrukthëtari dhe muziktari të arsimuar nga shteti i New York’ut (aktruar nga Chiwetel Ejiofor), i cili në vitin 1841 kidnapohet dhe shitet si skllav në jugun amerikan – një dukuri tmerrësisht e zakonshme asokohe.

I zhveshur nga e kaluara e tij, nga identiteti i tij, dhe nga njerëzia e tij (në sytë e ligjit), i riemëruar “Platt”, ai bëhet pronë e Ford’it, pronar plantacionesh (Benedict Cumberbatch), sjellja e mirë dhe e butë e të cilit nuk përputhet me statusin e skllavopronarit.

Pas përjetimit të dhunës dhe mllefit të fermerit sadist, Tibeats (Paul Dano), “Platt” i shitet Epps (Michael Fassbender), një çmenduraku i cili për shkak të dëshirimit të skllaves Patsey (Lupita Nyong’o), e shtyn drejt egërsisë së pakontrolluar.

Muzika ka rol të spikatur gjatë tërë filmit. Solomon është muzikant dhe pikërisht është muzika ajo që e çon në skllavëri. Pastaj, i duhet të shkojë edhe në shtëpitë e pronarëve dhe të bëjë muzikë për ta.

Kompozitor i kolonës zanore është legjendari Hans Zimmer.

Chiwetel Ejiofor fillimisht ishte ngurrues për ta pranuar rolin e Northup, por tash është e qartë se vështirë se do të gjendej ndonjë zgjedhja më e mirë. Ai është i mrekullueshëm.

12 Years a Slave nuk është film i zakonshëm. Dhe as që duhet të jetë.

Është një rrëfim i rëndësishëm për një kohë të egër, i treguar me pasion, besueshmëri dhe krenari.

A.M.

 

Traileri i 12 Years a Slave.