“Shtegu i Bahriut”, nisma për ta kthyer në traditë rrugën e Heroit Bahri Fazliu

Valon Murati ka bërë të ditur se, së bashku me bashkëluftëtarë dhe miq nga Shoqata “Shtigjet e Lirisë”, ka përshkuar rrugën që Heroi i Kosovës, Bahri Fazliu – Gëzimi, ndoqi më 7 maj 1998, në ditën kur ra në krye të detyrës. Përmes një postimi në Facebook, Murati ka njoftuar se ecja ka nisur nga…

Lajme

03/08/2026 22:16

Valon Murati ka bërë të ditur se, së bashku me bashkëluftëtarë dhe miq nga Shoqata “Shtigjet e Lirisë”, ka përshkuar rrugën që Heroi i Kosovës, Bahri Fazliu – Gëzimi, ndoqi më 7 maj 1998, në ditën kur ra në krye të detyrës.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka njoftuar se ecja ka nisur nga shtëpia e familjes Gjonbalaj në Hot të Plavës dhe ka përfunduar pranë pllakës përkujtimore në afërsi të trekufirit në Deçan, duke përshkuar rreth 23 kilometra në Alpet Shqiptare.

Sipas tij, kjo ishte përpjekja e parë për ta shënuar këtë itinerar si “Shtegu i Bahriut”, me synimin që ai të shndërrohet në një aktivitet tradicional për të gjithë ata që dëshirojnë ta përkujtojnë rrugëtimin dhe sakrificën e heroit.

Murati theksoi se, ndonëse kjo rrugë u përshkua në kushte krejtësisht të ndryshme nga ato të luftës, ajo mbetet një përvojë me vlerë historike dhe emocionale.

“Natyrisht këtë rrugë ne e bëmë në kushte krejt tjera prej atyre që Bahriu me shokë i ka bërë në maj të vitit 1998. Por e tillë relaksuese, atraktive dhe përkujtuese kjo rrugë ishte mbi të gjitha për shkak të punës, kontributit dhe sakrificës së dëshmorëve si Bahriu me shokë”, ka shkruar ai.

Në fund, Murati u shpreh se shtigje të tilla, që kalojnë nëpër trojet shqiptare, janë bërë më domethënëse falë përpjekjeve dhe sakrificës së dëshmorëve për liri dhe bashkim kombëtar. /Lajmi.net/