Hamza pas dështimit të konstituimit të Kuvendit: LVV po abuzon me institucionet, Kosova po mbetet me vakum institucional

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar zhvillimet pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit. Hamza e ka cilësuar këtë si mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, duke thënë…

Lajme

06/08/2026 11:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar zhvillimet pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit.

Hamza e ka cilësuar këtë si mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, duke thënë se sjellje të tilla po e dëmtojnë funksionimin institucional të vendit, shkruan lajmi.net.

“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po shihet që po vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Sipas tij, seanca konstituive është thirrur në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore, por në fund, sipas tij, në vend të konstituimit të Kuvendit janë mbajtur fjalime politike.

“Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet që të kemi konstituimin e Kuvendit, dhe në fund dalim, mbajmë fjalime politike, abuzojnë edhe me pozitën e kryesuesit dhe në vend që të propozojnë emër për kryetar apo kryetare të Kuvendit, e shtyjnë propozimin e emrit”, ka thënë Hamza.

Ai ka theksuar se moskonstituimi i Kuvendit po e lë Kosovën me mungesë të funksionimit të plotë institucional.

“Dhe nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës. Kosova vazhdon me mungesë dhe vakum institucional. Kjo e dëmton vendin”, është shprehur kreu i PDK-së.

Hamza ka thënë se takimet mes partive duhet të kenë përmbajtje dhe rezultate konkrete, duke paralajmëruar se nuk ka kuptim zhvillimi i takimeve pa marrëveshje.

“Besoj që këto sjellje të papërgjegjshme duhet të përfundojnë. Takim pa përmbajtje, pa produkt, pa rezultat, nuk kemi pse takohemi”, ka deklaruar Hamza. /Lajmi.net/