Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe ndërpritet seanca pas kërkesës së Albin Kurtit
Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën u betuan deputetët e Kuvendit është ndërprerë. Kjo është bërë në momentin kur pritej që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti të propozonte emrin për Kryetar të Kuvendit. Kurti deklaroi se seanca duhet të ndërpritet duke kërkuar kohë shtesë për çështjen e presidentit. Kjo lëvizje e Kurtit thuajse…
Lajme
Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën u betuan deputetët e Kuvendit është ndërprerë.
Kjo është bërë në momentin kur pritej që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti të propozonte emrin për Kryetar të Kuvendit.
Kurti deklaroi se seanca duhet të ndërpritet duke kërkuar kohë shtesë për çështjen e presidentit.
Kjo lëvizje e Kurtit thuajse ka ndryshuar gjithë çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve, transmeton lajmi.net.
Si fillim ai ka uruar secilin në Kuvend për zgjedhje si deputetë. Urime detyra e përfaqësuesve të popullit pas betimit që e bën bashkërisht.
“Ju uroj punë të mbarë deh suksese në legjislaturën e 11-të. Menjëherë pas certifikimit të rezultateve ne filluam takimet, e falënderoj Bedri Hamzën për takimin, e falënderoj Lumir Abdixhikun për takimet e ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK- e rifillimi i bisedimeve u bë këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK edhe me AAK-në ndonëse refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan ndonëse në prill nuk u zgjodhë presidente. Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues. Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt një shpërndarje të kuvendit e përsëri zgjedhjeve të parakohshme e të panevojshme për qytetarët. Kërkojmë kohë shtesë që t’i japim kohë partive politike për president apo presidente.”deklaroi ai.
Më pas Kryesuesi Avni Dehari e ka shtyrë për kohë të papërcaktuar seancën konstituive për Kuvendin, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se partia në pushtet kërkon kohë për gjetjen e një marrëveshjeje politike me LDK-në për formimin e të gjitha institucioneve të vendit.
Dehari tha se “meqë nuk ka propozim për kryetar të Kuvendit nga partia fituese, detyrohem ta ndërpres seancën”.
Ai tha se kryesia e Kuvendit do të njoftojë për kohën kur do të mbahet vazhdimi i seancës./Lajmi.net/