AUV njofton për aflatoksinë në ushqimin e lopëve, tërhiqet një produkt i prodhuar në Serbi
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar fermerët, operatorët dhe konsumatorët për masat e ndërmarra pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinë B1, në ushqimin për kafshë. Sipas AUV-it, produkti i konstatuar jokonform është koncentrati për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, i prodhuar nga DE HEUS D.O.O., Republika e Serbisë, dhe…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar fermerët, operatorët dhe konsumatorët për masat e ndërmarra pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinë B1, në ushqimin për kafshë.
Sipas AUV-it, produkti i konstatuar jokonform është koncentrati për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, i prodhuar nga DE HEUS D.O.O., Republika e Serbisë, dhe i importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K., Rahovec.
“Masat përfshijnë LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, deri në verifikimin përfundimtar të lidhjes së secilit LOT me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar. Është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur. AUV u bën thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që posedojnë produktin “SELECT MILK GR” nga LOT-et e identifikuara më sipër, të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim, ta mbajnë të veçuar dhe të bashkëpunojnë me AUV-në dhe operatorin përgjegjës për procedurën e tërheqjes”, ka njoftuar AUV-i.
Ata kanë thënë se për 30 ditë do të zbatohet masë e përkohshme parandaluese ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara/deklaruara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë.
Gjatë kësaj periudhe, AUV do të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, mbi bazën e rezultateve laboratorike dhe kontrolleve zyrtare, për përcaktimin e masave të mëtejshme.
Paralelisht, AUV ka intensifikuar kontrollet për AFB1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë te ushqimi për lopë qumështore. Gjatë periudhës fillestare zbatohen masa të shtuara të kontrollit, mostrimit dhe analizave laboratorike.
“Aflatoksina B1 (AFB1) është një substancë toksike që mund të jetë e pranishme në misër dhe ushqimin për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat paraqesin shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi. Kur lopët qumështore konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të metabolizohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht. Për këtë arsye, kontrolli i AFB1 që në ushqimin për kafshë është i rëndësishëm për parandalimin e kalimit të aflatoksinave më tej në zinxhirin ushqimor. AUV do të vazhdojë kontrollet në kufi dhe brenda vendit, mostrimin, analizat laboratorike dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Qëllimi i masave është identifikimi dhe ndërprerja e rrezikut që në burim, mbrojtja e shëndetit të kafshëve, siguria e prodhimeve me bazë shtazore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve”, ka thënë ndër të tjera AUV-i. /Lajmi.net/