10 minutat e betimit të Sami Lushtakut

Sami Lushtaku dha betimin. Ai arriti rreth orës 10:20 para ndërtesës së Komunës së Skenderajt ku u prit me ovacione dhe duartrokitje nga një masë prej rreth 200 vetash që kishin dalë për të festuar betimin për herë të tretë të Kryetarit të tyre.

Lajme

03/01/2014 11:15

Kryetari i rizgjedhur i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka dhënë betimin para Asamblesë Komunale, duke i dhënë fund mundësisë për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë komunë.

Betimi i Lushtaku ka zgjatur vetëm dhjetë minuta.

Lushtaku ka arritur rreth orës 10:20 para ndërtesës së Komunës së Skenderajt ku është pritur me ovacione dhe duartrokitje nga një masë prej rreth 200 vetash që kishin dalë për të festuar betimin për herë të tretë të kryetarit të tyre.

Ish Komandanti i UÇK’së për rajonin e Drenicës, i cili po mbahen i paraburgosur si i akuzuar për krime lufte, ka qenë i shoqëruar nga Policia e Kosovës, e cila ka qenë në përcjellje të veturës me të cilën barten të burgosurit, e në të cilën gjendej ai.

Në shenjë pakënaqësie me praninë e policisë në sallë betimin e Lushtakut e ka bojkotuar Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Komunës, Ajnishahe Shala-Halimi, e cila ka thënë se Sami Lushtaku po bashkëpunon me EULEX’it.

“Është shumë ofenduese të jem në këtë sallë ku Kryetari bën betimin me policë, thua se jemi nën masa të dhunshme policore”.

Ndryshe me 8 nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, kundër pesëmbëdhjetë të pandehurve, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.

Krahas Sami Lushtakur në aktakuzën e “Grupit të Drenicës”, akuzohen edhe Sylejman Selimi, Ambasador i Kosovës në Shqipëri si dhe Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj; Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Isni Thaçi dhe Avni Zabeli.

/Kosovapress, lajmi.net/