10 mijë ankesa për mospërfshirje në listën e shumëpërfolur të veteranëve

Ankesat e atyre që po pretendojnë se u është bërë e padrejtë nga Komisioni për njohjen e statusit të veteranit, invalidit, pjesëmarrësit apo të internuarit të UÇK-së, pasi u është refuzuar statusi, ka arritur shifrën mbi 10 mijë.

Lajme

04/05/2015 07:49

Kështu thotë Faik Fazliu për Epoka e Re, duke thënë se Zona e Dukagjinit prinë me numrin më të madh të ankesave.

“Kemi ankesa të natyrave të ndryshme. Kemi ankesa të atyre që nuk janë në lista dhe që nuk duhet të jenë, por kemi ankesa edhe nga ata që janë të pakënaqur me statusin personal. Deri më tani janë bërë mbi 10 mijë ankesa. Këto ankesa janë nga të gjitha zonat operative. Një numër të madh të këtyre ankesave e kemi nga Zona Operative e Dukagjinit, Zona e Pashtrikut e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Fazliu shton se këtë javë do të përfundoj afati i ankesave për Zonën e Dukagjinit dhe Drenicës. Ai nuk beson se do të ketë afat shtesë për t’u ankuar.

“Këtë javë fillojmë shqyrtimin e ankesave për listat e zonave operative që janë publikuar më herët. Me të gjitha këto ankesa fillimisht do të merret komisioni qendror. Në bazë të deklarimeve të ankuesve ne do t’i ftojmë për deklarata shtesë të gjithë protagonistët të cilët janë cekur në ankesa”, ka thënë Fazliu.