Pritjet e gjata, në shumë raste të pasuksesshme – Kanceri preku 1 mijë e 800 persona brenda vitit në Kosovë, 52% e tyre ishin femra

Kanceri vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në nivel global, duke prekur qindra mijëra njerëz çdo vit. Si në botë, ashtu edhe në Kosovë, numri i pacientëve me kancer është i lartë, duke e bërë këtë sëmundje si një nga më të përhapurat dhe më të rrezikshmet. Edhe brenda vitit 2024,…

Lajme

01/01/2026 23:00

Kanceri vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në nivel global, duke prekur qindra mijëra njerëz çdo vit. Si në botë, ashtu edhe në Kosovë, numri i pacientëve me kancer është i lartë, duke e bërë këtë sëmundje si një nga më të përhapurat dhe më të rrezikshmet.

Edhe brenda vitit 2024, shumë prej qytetarëve vazhduan sfidën e përballjes me kancerin derisa numri i atyre që u diagnostikuan këtë herë me sëmundjen e rëndë ishte tejet i lartë.

Përpos sfidave që i bashkëngjiten diagnostikimit me këtë lloj sëmundje, shumë qytetarë probleme patën edhe me sigurimin e terapive për këtë problem shëndetësorë.

Në të shumtën e rasteve qytetarët dilnin nga klinika duke kërkuar në farmacitë e shumta për terapitë, barnat e ndryshme që iu nevojiten në kurim.

Kjo sfidë ua vështirësoi atyre edhe përballjen me sëmundje, por edhe tejkalimin e saj.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, ka thënë për lajmi.net se në Klinikën e tyre vetëm gjatë vitit 2025, janë trajtuar mbi 1850 pacientë të rinj me diagnoza të ndryshme të kancerit.

Siç ka thënë Kurtishi, në këtë Klinikë, janë trajtuar edhe shumë pacientë të tjerë që janë diagnostikuar viteve paraprake.

“Krahasuar me vitin e kaluar, kemi një numër të njëjtë të rasteve të reja si vitin 2024. Kjo rritje ka ndikuar edhe në konsum të shtuar të terapisë citostatike”, ka thënë Kurtishi për lajmi.net.

Lajm të mirë ka dhënë ai për lajmi.net kur ka treguar se një numër i madh i pacientëve kanë përfunduar me sukses trajtimin dhe konsiderohen të mjekuar sipas kategorizimit mjekësor, ndërsa ka thënë se gjithashtu në këtë vit, ka pacientë që e kanë humbur betejën me sëmundjen e rëndë të kancerit, duke mos dhënë një numër të caktuar të këtyre pacientëve.

Kurtishi për lajmi.net ka treguar edhe llojet më të shpeshta të kancerit që janë shfaqur këtë vit tek pacientët.

“Sipas rasteve të trajtuara në Klinikën e Onkologjisë, llojet më të shpeshta të kancerit vazhdojnë të jenë: Kanceri i gjirit, mushkërive, kolorektal dhe sistemit urogjenital”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka treguar se nga sëmundja e kancerit, femrat janë prekur më shumë gjatë këtij viti, duke përfshirë 52% e rasteve të reja që janë shfaqur gjatë gjithë vitit.

Kurtishi për lajmi.net, ka treguar edhe për kushtet që janë në Klinikën e Onkologjisë. Ai ka treguar se pavarësisht rasteve të reja, kushtet janë përmirësuar vazhdimisht dhe stafi është angazhuar maksimalisht në sigurimin e trajtimit cilësor për çdo pacientë.

“Gjatë vitit 2025, Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizime të rregullta me terapi citostatike. Megjithatë, për shkak të numrit lehtë të rritur të rasteve të reja me kancer, dhe vazhdimit te mjekimit të pacientëve nga vitet paraprake dhe zgjatjes së pritjes së pacientëve, kemi pasur periudha me konsum pak më të shpejtë të disa produkteve dhe mungesa të përkohshme, të cilat janë menaxhuar në koordinim me ShSKUK dhe institucionet përkatëse. Kushtet e ofrimit të shërbimeve janë përmirësuar vazhdimisht dhe stafi është angazhuar maksimalisht në sigurimin e trajtimit cilësor për çdo pacient”, ka thënë Kurtishi për lajmi.net.

Sëmundja e kancerit, është një nga sëmundjet më të rënda e cila po merr shumë jetë njerëzish në vend dhe në botë. Rritja e numrit të pacientëve me kancer, po paraqet një rrezik serioz nga kjo sëmundje për të cilën ende nuk dihet kura e plotë.

Numri i rasteve të reja gjatë këtij viti që kap shifrën e mbi 1 mijë e 850 pacientëve është dukshëm i lartë, por pozitive është pastaj që gjithashtu ka një numër të lartë të pacientëve që kanë arritur të shërohen nga kjo sëmundje.

E për fat të mirë në kuadër të QKUK-së në Klinikën e Onkologjisë së fundi u përurua edhe akseleratori i tretë, duke e përmbyllur kështu vitin edhe me 2.7 milionë euro vlerë të investimit, që përfshin akseleratorin e ri, bunkerin dhe sistemet përcjellëse për trajtimin e pacientëve.

Teknologjia e avancuar e këtij akseleratori theksohet se mundëson saktësi maksimale të rrezatimit, pa i dëmtuar indet përreth tumorit, ndërkohë që me funksionalizimin e tij nuk do të ketë më fare lista të pritjes. /Lajmi.net/