​Peter Stano: Kisha ruse ose kishat e tjera nuk duhej të përfshiheshin vullnetarisht në dezinformim

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka qenë pjesëmarrës edhe në pjesën e katërt të dokumentarit VIRUSSIA, i cili flet për ndikimin malinj rus, konkretisht ndikimin përmes Kishës Ortodokse.

Bota

30/11/2021 19:01

Ai ka deklaruar se “nuk e shoh të mundshme se kisha ruse apo cilado kishë tjetër të jetë, të ketë qenë apo që do të jetë e përfshirë në dezinformimin me vullnet të saj, nëse këto kisha janë të vendosura në rolin e tyre kryesor e që është kujdesi ndaj besimtarëve, sa i përket zotit dhe sa i përket të jetuarit në raport me Biblën, por jo edhe të përfshihet në aferat dhe raportet e politikës dhe në vende të tjera, mënyrën se si vende të tjera janë të qeverisura dhe të udhëhequra”.

Dokumentari i RTK-së në bashkëpunim me televizione të tjera rajonale dhe institute të specializuara të ndikimit të huaj, që u shfaq mbrëmë, pati edhe materiale të tjera ekskluzive.

U botua një letër e vitit 1992 nga ish-kleriku i Kishës Ortodokse Serbe Amfilohije drejtuar Kishës Ortodokse Ruse, ku “kërkohej që të përmirësohej gabimi i Kishës ruse kur e kishte pranuar Kishën Ortodokse ët Malit të Zi si autoqefale”. Kjo, sipas ekspertëve në VIRUSSIA ka treguar edhe qëllimin që e kishin protestat kishtare të njohura si “Litije” në Malin e Zi në vitin 2020. Këto protesta kishtare rezultuan edhe në zgjedhjet nacionale në Mal të Zi, ku pushtetin e mori kryeministri i tashëm Krivokapiq, i cili, në ditën që sapo kishin përfunduar zgjedhjet, kishte shkuar pikërisht te prifti ortodoks serb Amfilohije për ta marrë bekimin.

Në anën tjetër, lidhur me këtë, drejtori i Këshillit Atlantik të Malit të Zi, dr. Savo Kentera, ka deklaruar se “Litijet në Malin e Zi nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me kishat dhe manastiret, por me diçka tjetër – me para”.