​OSBE: Dhuna familjare të luftohet përmes përpjekjeve serioze të institucioneve

Reagimeve të prijësve të shtetit ndaj vrasjes së një gruaje në Prizren nga bashkëshorti i saj, iu ka bashkëngjitur edhe misioni i OSBE-së në Kosovë.

Lajme

07/08/2019 18:13

Ky mision shpreh tronditje me rastin e kësaj ngjarje tragjike, duke thënë se dhuna familjare është një problem social, i cili mund të luftohet vetëm përmes përpjekjeve serioze të institucioneve dhe publikut të përgjithshëm.

Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh ngushëllime për familjen dhe miqtë e viktimës, teksa bën thirrje për zbatimin e ligjit dhe që institucionet gjyqësore të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, për të vënë drejtësinë në vend.

Ndryshe, një person ka vrarë mbrëmë gruan e tij në Prizren, për motive ende të panjohura. Pas vrasjes, autori i këtij krimi të shëmtuar ndaluar për 48 orë, ndërkohë që pritet edhe vendimi për paraburgimin e tij.

Ndaj këtij rasti kanë reaguar ashpër presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.