​Maqedonia Veriore mban zgjedhjet lokale në tetor të vitit të ardhshëm

Partitë pajtohen që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të vitit 2021. Sipas tyre, Kodi Zgjedhor kategorizon mandatin e kryetarëve të komunave i cili nuk guxon të shkurtohet ose ndërpritet. Opozita kërkon që debati të përqendrohet në modelin me lista të hapura për këshilltarët komunal. Vendimi duhet të merret me konsensus.

Lajme

20/09/2020 15:19

“Ligji për vetëqeverisje lokale kushtëzon rrethanat kur mund të ndërpritet mandati i kryetarit të komunës dhe këshilltarit dhe se i njëjti nuk mund të jetë më i shkurt se 4 vjet. Për mua data është relative dhe ajo është në tetor të vitit ardhshëm”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Konstatimi ynë është se kemi mungesë të demokracisë në vendin tonë dhe gjithashtu mendojmë se listat e hapura do të kontribuojnë në demokracinë në vend. Kjo është kërkesë e jona shumë e hershme dhe jemi partia e parë që kemi kërkuar një ndryshim si ky”, theksoi Elmi Aziri, Deputet i ASH-së.

Partitë e shumicës janë të mendimit që zgjedhjet lokale duhet mbajtur me lista të hapura, por sipas tyre për këtë nevojitet konsensus i përgjithshëm politik. Këtë e ka paralajmëruar edhe ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

“Është fakt se listat e hapura për zgjedhje komunale dhe parlamentare kërkohen tashmë një kohë të gjatë dhe për këtë ka një pajtim mes partive që si test të zbatohet ai model në listën e këshilltarëve komunal. Ne jemi dakord me këtë çështja”, tha Arta Bilalli, deputete e BDI-së.

“Ka ende shumë kohë dhe ne si parti dhe politikanë duhet t’i përmbahemi afateve pas përfundimit të mandatit. Vlerë e re që promovojmë është lista të hapura për këshilltarë”, tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Në vitin 2017 mandati i kryetarëve të komunave kishte përfunduar në muajin maj, por për shkak se Kuvendi nuk ishte funksional dhe vendi ishte pa qeveri si pasojë e krizës politike, Gjykata Kushtetuese vendosi vazhdimin e mandatit të tyre deri në muajin tetor. Mandati i tyre përllogaritet nga tetori i vitit 2017./AlsatM