​Bajrami në Uashington, takon përfaqësues të lartë të FMN-së

Sipas komunikatës ministrore, fokusi i diskutimeve ishte ndikimi i pandemisë COVID-19 në shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës.

Lajme

18/09/2020 23:58

Gjatë këtij takimi, ministrja Bajrami dhe Kammer diskutuan për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit veçse të shkëlqyeshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe FMN-së, duke përfshirë mundësinë e një programi të ri që do të kishte për qëllim mbajtjen e stabilitetit makro-financiar dhe mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për trajtimin e pandemisë.

Ministrja Bajrami diskutoi mbi angazhimin e Qeverisë në menaxhimin e ndikimit të pandemisë në financat publike dhe mënyrat për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, si dhe inicimin e reformave strukturore. Ajo falënderoi FMN-në për mbështetjen e saj përgjatë viteve, përfshirë përmes Instrumentit të Financimit të Shpejtë, i cili u disbursua me shpejtësi në periudhën e shpërthimit fillestar, në muajin prill. Ajo gjithashtu rikonfirmoi zotimin e Kosovës për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me FMN-në.

Nga ana tjetër, Kammer përgëzoi autoritetet kosovare për përpjekjet e tyre për trajtimin e sfidave socio-ekonomike si pasojë e pandemisë, si dhe përsëriti gatishmërinë e FMN-së për të gjetur mënyra për të forcuar bashkëpunimin me Kosovën në mbështetje të përpjekjeve të saj në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal dhe avancimin e reformave për përmirësimin e perspektivës afatgjate ekonomike të Kosovës.