​Meta: Nesër dorëzojmë padi, Kuvendi çoi në Kushtetuese dokumente false

Gjykata Kushtetuese u tërhoq ditën e sotme për të marrë një vendim rreth kushtetutshmërisë ose jo të kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe do të vijë me një vendim brenda 30 ditësh.

Lajme

07/02/2022 20:37

Pas këtij vendimit, Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, Bledar Dervishaj, doli në një deklaratë për mediat, ku dha detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”. Pas kësaj deklarate të përfaqësuesit ligjor, presidenti Meta mbajti një konferencë live për mediat.

Ai tha se ditën e nesërme do të depozitohet një padi ndaj Kuvendit. Kreu i shtetit thekson se kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti, që sipas tij është një gjë e rëndë dhe kriminale.

“Nesër në orën 09:00 në faqen zyrtare të presidentit do të jenë të publikuara 72 pyetjet dhe përgjigjet. Do t’u përgjigjem disa prej tyre që besoj se kanë interes për ju. Veprimtaria ime ka qenë e qartë për të gjithë palët. Nuk kam mbështetur asnjë subjekt në zgjedhje. Nesër ne do të dorëzojmë padi, pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të presidentit”, tha Meta.