Zgjerohet harta e përmbytjeve

Në jug të Shqipërisë vijon gjendja alarmante për shkak të vërshimit të ujërave nga lumenjtë Seman dhe Vjosë në rrethin e Fierit dhe Vlorës, ndërsa në terren po ndërmerren operacione shpëtimi për banorët që ndodhen në mes të përmbytjeve.

Lajme

03/02/2015 10:53

Deri më tani janë zhvendosur shumë familje, derisa sipas të dhënave në terren, niveli i ujërave të Semanit dhe Vjosës po ulet, por ai mbetet ende kërcënues.

Në Fier, në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje.

Operacionet më të vështira kanë qenë në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”. Dy helikopterë të forcave ushtarake kanë ndërhyrë në fshatin Poro të komunës Frakull dhe fshatin Darzezë e Re, komuna Dërmenas, në rrethin e Fierit.

Për evakuimin e familjeve nga komuna Novoselë janë angazhuar njësitë e “Delta Force” të Forcave të Armatosura.

Policia Rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan-Novoselë për shkak të ujërave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi rrugë.

Rruga funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier-Vlorë, raporton Top Channel.

Kryeministri Edi Rama, i cili edhe sot po vazhdon vizitat në zonat e përmbytura, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se nuk mungon efikasiteti dhe koordinim i plotë i strukturave përgjegjëse të shtetit në përballimin e përmbytjeve në jug të vendit.

“Janë shpëtuar me gatishmëri të lartë dhjetëra jetë njerëzish dhe evakuuar qindra familje në rrezik si edhe mijëra krerë bagëti. Niveli i ujërave sot është ulur, por jemi gati për të përballuar një ‘sulm’ të dytë të natyrës që parashikohet mes të mërkurës e të premtes së ardhshme, sipas të dhënave meteorologjike”.