Zgjedhje që nuk pengojnë dialogun

Ivica Dacic pret që mbajtja eventuale e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi të mos ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

25/01/2014 15:51

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar se pret që zgjedhjet e jashtëzakonshme të paralajmëruar të mbahen në Serbi, të mos e pengojnë rrugën europiane të Serbisë dhe dialogut Beograd-Prishtinë.

Dacic këto komente i ka bërë gjatë takimit me Ambasadorin e SHBA’ve në Beograd, Michael Kirby, citojnë mediat serbe një komunikatë të Qeverisë së Serbisë.

Kryeministri serb Dacic dhe Ambasadori Kirb, siç raportohet, kanë biseduar sot lidhur me bashkëpunime politiko-ekonomike dhe në strukturat e sigurisë të të dy vendeve.

Zgjedhjet nacionale në Serbi, Ambasadori Amerikan i ka cilësuar si çështje të brendshme, për të cilat ka thënë se duhet të vendosë vetë populli serb.

Kirby ka thënë se është në dijeni me propozimin e Zëvendëskryeministrit Aleksandar Vucic për zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale.

“Ne jemi në dijeni për propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe partisë së tij dhe jemi duke pritur për vendimin e Qeverisë së Serbisë”.