Zëdhënësi i Trump: Nuk ka dëshmi se Rusia ndërhyri në zgjedhje

Zëdhënësi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi që tregon se hakerët rusë kanë ndikuar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Bota

03/01/2017 09:10

“Mënyra se si mediat kryesore po raportojnë është rritja e idesë se (Rusia) ka ndikuar në zgjedhje. Nuk ka fare dëshmi se ata kanë ndikuar në zgjedhje”, ka thënë Sean Spicer për Fox News më 2 janar.

Spicer, i cili do të bëhet Sekretari për Media i Shtëpisë së Bardhë kur Trump të nis detyrën më 20 janar ka thënë se “hakimi është i gabuar” dhe se “njerëzit nuk duhet të ndërhyjnë”. Por, ai i ka dhënë jehonë paralajmërimit të Trumpit gjatë fundjavës kundër ngutjes së bërjes së Rusisë fajtore për sulmet kibernetike.

Presidenti Barack Obama ka thënë se dëshmitë e përfshirjes ruse janë të mëdha dhe për këtë ai ka dëbuar 35 diplomatë rusë derisa ka vendosur sanksione të reja kundër Rusisë gjatë javës së kaluar. Ligjëvënësit e të dy partive amerikane i kanë përpkrahur këto vendime.

Por, Trump rregullisht ka hedhur dyshime mbi akuzat për përfshirjen ruse në këto sulme.

Përgjatë fundjavës, Trump, i cili tash merr informacione të njëjta sekrete me Obamën, ka thënë se ai “din gjëra që të tjerët nuk i dijnë” dhe se ai do i zbulojë këto informacione më 3 apo 4 janar.

“Ai do të flasë rreth konkludimeve të tij dhe për atë se si mendon ai se qëndrojnë gjërat”, i ka thënë Spicer CNN-së më 2 janar dhe ka shtuar: “Ai nuk do të zbulojë asgjë që është sekrete apo që është ndarë në mënyrë sekrete me të”.