Ylli Manjani emërohet Ministër i Drejtësisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekreton shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço si dhe emërimin e Ministrit të ri të Drejtësisë,Ylli Manjani.

Lajme

10/11/2015 18:00

Dekreti që hyn në fuqi menjëherë, vjen një ditë pas dorëheqjes të Nasip Naço si Ministër i Drejtësisë.

Ky i fundit e argumentoi dorëheqjen e tij me nevojën për një nivel më të lartë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mes akterëve për reformën në drejtësi.

Ndërkohë Ylli Manjani, tani zyrtarisht Ministri i ri i Drejtësisë, në një intervistë dje për Ora Neës, shprehu vendosmërinë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit në drejtësi.

“Korrupsioni është pengesë e madhe duhet ta pranojmë. Jam mandatuar nga LSI dhe nuk po ju them ndonjë sekret, por jam mandatuar specifikisht për të qenë pjesë e një lufte, e një beteje anti-korrupsion në çdo nivel”.

Për reformën në drejtësi, ai tha se duhet edhe konsensusi i opozitës dhe çdo partie tjetër parlamentare.

“I jam mirënjohës LSI në radhë të parë e cila më propozon mua. Ne e kemi provuar dhe vendimmarrjet uliraterale në këto 20 vite në kuptimin që njëri krah ka marrë vendimet që ka dashur, krahu tjetër merr prapë vendime që do dhe kur vjen puna asgjë nuk bëhet e përbashkët, kurse ato që bëhen të përbashkëta janë shumë pak dhe po themi me jo pak defekte”.