VV: Presidenca dhe Qeveria duhet të reagojnë ndaj dhunës së shqiptarëve në Serbi

Lëvizja Vetëvendose ka akuzuar Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, për heshtje ndaj dhunës së shqiptarëve në Serbi. Vetëvendosje thotë se këto dy institucione e kanë për obligim mbrojtjen e interesave të bashkëkombësve të tyre.

Lajme

17/10/2014 17:32

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar presidenten Atifete Jahjaga dhe Qeverinë e Kosovës, për mos reagim ndaj dhunës që po ushtrohet te shqiptarët me banim në Serbi, pas ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje vlerëson se këto dy institucione e kanë për detyrë  që të reagojnë për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve.

“Me shqetësim po marrim lajme për sulmet ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Këto sulme që nuk janë risi e kësaj jave, por që ndodhin në baza ditore, e në mënyrë sistematike kundër bashkëkombasve tanë, nuk kanë gjetur kurrë as reagim institucional e as joformal, qoftë nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga e as nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Përderisa Qeveria në ikje me nënshtrim të plotë ka marrë pjesë në një dialog të pabarabartë me Serbinë, ajo dhe përfaqësuesit e saj në asnjë moment nuk i kanë dalë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.  Përveç masave konkrete, as edhe një letër e vetme proteste nuk i është dërguar Serbisë për incidentet e shumta që kanë ngjarë ndaj shqiptarëve atje”.

“Kështu po ndodh edhe sot.  Është detyrë e secilës Qeveri, madje edhe asaj që është në ikje, të reagojë për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve të saj kudo që jetojnë. Paaftësia për të reaguar dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e shqiptarëve, i legjitimon si të drejta aktet vandale ndaj tyre”.

“Qeveria e skaduar që nuk i kursen ditët e numëruara për të nënshkruan kontrata gjysmë miliardësh për autostrada, për të keqpërdorë buxhetin për privilegje personale, po vazhdon të  jetë e heshtur përballë sulmeve të paramenduara fashiste e raciste ndaj popullatës shqiptare”.

“ Po ashtu asnjë reagim nuk po vjen nga Presidentja Jahjaga, roli i të cilës është drejtimi i politikës  së jashtme të Republikës tonë. Teksa çdo ditë flitet në forume vendore e ndërkombëtare për  mbrojtjen e të drejtave kudo në botë është e patolerueshme heshtja përballë cenimit ekstrem të  shqiptarëve në Serbi”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.