VV premton zero TVSH për produktet bazike

Gjatë një vizite në Deçan, përfaqësues të Vetëvendosjes i kanë quajtur njollosje dhe dëmtuese për Kosovën EULEX-in dhe Gjykatën Speciale, kurse gjithashtu kanë premtuar zero TVSH për bukën, vajin, kripën, sheqerin, miellin, qumështin dhe librat.

Lajme

20/04/2014 20:51

Kështu thanë dhe premtuan Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ku bashkë më shumë anëtarë të tjerë të këtij subjekti si dhe udhëheqësin e këtij subjekti, Albin Kurti gjatë një vizite në Deçan.

Ky i fundit ua shpjegoi deçanasve se me qeverisjen e subjektit të tij, parashihet ulja e tatimit për ata që paguhen më pak se 500 euro, zero tatim për ata që paguhen më pak se 170 euro dhe të ardhurat mbi 1700 euro të tatohen me 30 për qind.

Madje tha se TVSH-ja do të jetë zero për bukën, vajin, kripën, sheqerin, miellin, qumështin dhe librat, që do të thotë se gjithë këta artikuj bazik do të lirohen.

\”Të gjithë e dimë që ridistribuimi shkon prej lartë poshtë, ndërkaq demokracia shkon prej poshtë lartë. Në Kosovë e kemi të kundërtën. E kemi ridistribuimin prej poshtë lartë, që në fakt nuk është ridistribuim por koncentrim, dhe e kemi demokracinë prej lartë poshtë, që do të thotë se nuk është demokraci por diktaturë\”, tha Kurti.

\”Neve nuk na është lejuar sistemi i pavarur gjyqësor në vend, por na janë imponuar misionet, e tash po na thuhet juve ju duhet misioni ndërkombëtar dhe gjykata ndërkombëtare, sepse nuk keni sistem të pavarur gjyqësor. Përveç që na barazuan në Gjykatën e Hagës, duke na akuzuar të gjithëve nga pak, tani po na thonë se juve ju duhet një gjykatë të veçantë, për të cilën as nuk e dimë kush do ta formojë, as kush do t\’i emërojë gjyqtarët, kush do ta financojë dhe kujt do t\’i japë llogari\”, tha Ymeri.

Këto deklarata u dhanë në Deçan, derisa prezantuan Alternativën Qeverisëse dhe hapave kryesorë të realizimit të saj. 

(KosovaPress)