Vujiçiq dënon djegien e flamujve shqiptarë në Mal të Zi, kërkon dënim për autorët

Malazezët në Kosovë dënojnë djegien e flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë nga perona të pa identifikuar.

Lajme

16/04/2016 18:35

Ata shprehen të pikëlluar që në Mal të ZI ka ende njerëz që shfaqin urrejtje dhe jo diversitet, ngase sipas tyre, këto nuk janë pasuria e Malit të Zi, por e kundërta e tyre.

“Veprimet të tilla të pahijshme në mënyrë vandale kanë për qëllim të zbehin marrëdhëniet shumë të mira me Kosovën dhe Shqipërinë, por, janë përpjekje të kota, që bëhen nga frikacakët”, thotë kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Slobodan Vujiçiq, raporton lajmi.net

Ai vlerëson se malazezët në Kosovë dhe shqiptarët në Mal të ZI kanë marrëdhënie tradicionalisht të fuqishme, dhe se kanë komunikim të rregullt natyral dhe jo të detyrueshëm, që të dyja palët.

“Çdo akt çnjerëzor do të na bashkoj edhe më shumë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimet”, thotë ai.

Ai bënë të ditur se pret veprime ligjore, nga autoritetet kompetente në Mal të ZI, për të gjetur autorët dhe do të veprohet sipas ligjit me ta, raporton lajmi.net

Vujiçiq flet edhe për notën e protestës që ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi i ka dërguar Malit të ZI.

Vlerëson se kjo është bërë pa keqdashje nga Selimi edhe pse është dërguar shumë shpejt.

Djegia e flamujve shqiptarë sipas malazezëve që jetojnë në Kosovë është incident i mbyllur dhe atmosferë e tillë nuk ekziston te qytetarët në Mal të Zi e as te politika, qoftë e jashtme apo e brendshme.

Ndryshe, persona të pa identifikuar kanë djegur dy net më parë flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës në kryeqytetin malazez, Podgoricë.

Kjo ka ndodhur pranë ndërtesës ku ndodhen zyrat e ambasadës së Kosovës.

Për ngjarjen, ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Malit të Zi, duke shprehur keqardhjen për incidentin.

Ata e kanë quajtur akt vandal dhe kanë premtuar se do të marrin veprimet e nevojshme për sqarim të rastit dhe identifikim të autorëve./ Lajmi.net