Vriten 10 palestinezë e katër izrealitë

Pas armëpushimit që zgjati vetëm disa orë, konflikti në Rripin e Gazës është rikthyer egërsisht. Sipas BBC, shpërthimet në territorin e një parku në periferi të qytetit Gaza kanë lënë të vrarë 10 persona.

Bota

28/07/2014 21:43

Ndërkohë, agjencia Reuters raporton se në Izrael janë vrarë katër izraelitë, dhe shumë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me mortaja në qytetin Eshkol, pranë kufirit me Gazën.

Të paktën 10 persona, mes tyre tetë fëmijë, u vranë të hënën pasdite nga shpërthimet në Gaza, thanë zyrtarë palestinezë.

Ata thanë se viktimat u vranë nga sulmet me raketa të Izraelit, por këta të fundit thanë se shpërthimet u shkaktuan nga raketa që u lansua gabimisht nga militantët e Hamasit.

Numri i viktimave deri tash ka shkuar në mbi 1,040 palestinezë dhe 46 izraelitë.

Sulmit ndaj parkut i parapriu goditja e spitalit në afërsi, kur u plagosën disa persona, raportojnë burimet palestineze, por reporterëve iu ndalua incizimi aty.

Mediet izraelite kanë raportuar se sonte në territorin e këtij shteti përmes një tuneli është futur një grup militantësh të Hamasit, të cilët pastaj kanë hapur zjarr ndaj ushtarëve, njofton Ushtria e Izraelit.

Në komunikatë thuhet se ka filluar kërkimi iI ushtarëve, pa hyrë në detaje, transmeton agjencia AP. Sipas medieve izraelite, me këtë rast janë vrarë pesë ekstremistë, por që ka edhe të plagosur nga pala izraelite.  

Sipas Izraelit, deri tash janë shkatërruar rreth 20 tunele të tilla, kurse kërkimet për to vazhdojnë akoma.