Votimi në OKB për Jerusalemin zbulon ndasitë mes shteteve të Ballkanit

Vendet e Ballkanit votuan në mënyra të ndryshme në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku shumica e vendeve nxitën Shtetet e Bashkuara të tërheqin njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Bota

24/12/2017 17:35

Shumica e vendeve sfiduan të enjten presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, dhe votuan në favor të rezolutës që bën thirrje që Uashingtoni të tërhiqet nga plani për të zhvendosur ambasadën e SHBA-sveë nga Tel Avivi për në Jerusalem.

Rezoluta u miratua me 128 vota pro dhe nëntë kundër, një votim masiv ku tri të katërtat e kombeve votuan “po”. 35 vende të tjera abstenuan ndërsa 21 vende nuk votuan.

Të vetmet vende që votuan në favor të SHBA-ve ishin Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau, Toko dhe, natyrisht, Izraeli.

Në kontrast me këtë, shumica e vendeve Evropiane, përfshirë aleatë të ngushtë të SHBA-së, votuan në favor të rezolutës në përputhje me deklaratat e mëparshme.

Vendet e Ballkanit e panë veten të zënë në mes të konfliktit mes SHBA-ve dhe BE-së, por shumica e tyre ndoqën rrugën e BE-së dhe jo të Uashingtonit.

Para votimit në OKB, ministrat e jashtëm të Evropës hodhën poshtë thirrjen e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu, që ata të ndiqnin shembullin e Trump dhe të njihnin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Turqia votuan në favor të rezolutës duke sfiduar paralajmërimet e SHBA-së.

E njohur si aleat i ngushtë i SHBA-ve, si dhe si vend me marrëdhënie miqësore me Izraelin, Shqipëria ndjeu nevojën për të shpjeguar votën në OKB, duke thënë se Shqipëria “mbajti pozicionin e përbashkët të shumicës së vendeve anëtare të BE-së”.

Gjithsesi, disa nga opozita në Shqipëri shprehën zemërim mbi vendimin. Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, shkroi në Facebook se vota ishte “kundër interesave të vendit”.

Në rrjetet sociale, shumë shtetas komentuan qëndrimin e Shqipërisë, duke argumentuar se abstenimi mund të ishte qëndrim më i mirë.

Ky ishte pozicioni që mori Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Rumania, ndërkohë që Moldavia nuk u paraqit për të votuar.

Sipas medias vendëse në Bosnjë, Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak i Presidencës tripalëshe të Bosnjës, deshi të votonte kundër vendimit të Trumpit, por kroatët dhe serbët zgjodhën abstenimin.

Pas kritikave se si Bosnja me popullsinë e saj të madhe myslimane abstenoi mbi çështjen e Jerusalemit, Halid Genjac, një figurë e lartë e partisë kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, të premten i rikujtoi kritikëve se presidenca tripalëshe kërkon konsensus mbi vendime të tilla.

“Bosnja dhe Hercegovina është një vend i përbërë nga opinione të ndryshme. Nën këto kushte, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veç abstenimit,” shpjegoi Genjac.

Statusi i Jerusalemit është tema më e nxehtë në bisedimet e paqes që kanë ngecur në vendnumëro mes Izraelit dhe Palestinës.

Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh përpjekjen e Izraelit për të marrë kontrollin mbi të gjithë qytetin e Jerusalemit, përfshirë Jerusalemin lindor të banuar në përgjithësi nga palestinezë.

Kryeministri i Izraelit Netanyahu sulmoi OKB-së si një “shtëpi gënjeshtrash” para votës. /BIRN/