Vizioni i Harvardit dhe kryetari pa vizion – Lajmi.net
Vizioni i Harvardit dhe kryetari pa vizion
Autori: Trim Syla Op-EdOpinion 19:30, 4 October 2017
Argumentet për mungesë vizioni janë të bollshme. Nuk ka se si kryetari Shpend Ahmeti të mbrohet para të vërtetës lakuriqe që Prishtina me të i ka humbur 4 vite. Ai tenton të justifikojë veten duke u marrë me tema kombëtare dhe me çështje që nuk kryen punë një qytetari prishtinali. Justifikohet me diplomën e Harvardit. Por diploma e një viti të studiuar në Harvard është argumenti më u fuqishëm kundër tij

Jemi në vlugun e debateve para-elektorale në çdo komunë të Kosovës. Në çdo komunë jemi duke matë me kandar se sa është punuar dhe sa realiste janë premtimet për punët që na presin. Ndoshta më shumë se në ciklet e kaluara zgjedhore, debati në nivel lokal është i fokusuar në pritjet e qytetarëve. Me gjasë, qytetarët janë lodhur nga politika shterpe që nuk sjell rezultat, nga dhuna dhe gazi lotsjellës dhe nga ofendimet si mjet i politik-bërjës.

Në Prishtinë po ashtu, jemi duke analizuar rezultatet e pushtetit lokal të kryetarit Shpend Ahmeti. Pyetja kryesore mund të ishte se sa është përmbushur vizioni i kryetarit dhe cilat ishin anët e tija të forta.

Fatkeqësisht, nuk është se Kryetari ka treguar anë të forta në menaxhim të qytetit. Diskursi i tij dhe vizioni i tij fillon dhe mbaron me disa autobusë që ka blerë me borxh të aprovuar nga pushteti qendror dhe me vota të PDK-së dhe LDK-së. Kryetari nuk ka arritur assesi për 4 vite të shpalos vizion apo njerëzit dhe resurset që do ta përmbushin këtë vizion.

– Lagjet e Prishtinës kanë degraduar krejtësisht. Ndoshta ndërtimet pa leje janë ndalur, por lejet kanë eksploduar për ndërtesa shumëkatëshe në lagje të qeta duke prishur krejtësisht indin urban. Vetëm shikoni se çka po ndodhë në Lagjen e Muhaxhirëve, në Lagjen e Spitalit, në Lagjen e Velanisë. Shikoni bastardimin që po ndodh tek lagja e Bahollëve. Po shlyhet krejtësisht identiteti i Prishtinës duke krijuar zona të pabanueshme – me shumë banorë. Pa gjelbërim, pa parqe, pa parkingje.

– Shkollat e Prishtinës kanë degraduar krejtësisht. Niveli fillor dhe i mesëm i shkollimit është nën ingerencë komunale. Kryetari Shpend Ahmeti nuk ka ndërtuar asnjë shkollë te vetme në mandatin e tij, përkundër faktit që shumë lagje janë rritur dhe kanë shtuar mijëra banorë në këto katër vite. “Bullingu” apo dhuna shkollore është rritur dhe shumë fëmijë tonë frikohen të shkojnë në shkollë nga ngacmimet e kriminelëve apo fëmijëve të dhunshëm. Kiflet e shumë propaganduara nuk sjellim sukses akademik e as përmirësim të shkollave. Në vend të reformave dhe përmirësimeve, kemi qenë dëshmitarë politizimit të skajshëm të shkollave si bastione të rekrutimit të anëtarëve të dhunshëm të Vetëvendosjes. Kryetari ka pushuar mësimet në kohën e protestave të Vetëvendosjes, duke krijuar kështu një sinergji midis letargjisë shoqërore që ka pushtuar shkollat e kryeqytetit dhe dhunës si mjet të favorizuar të veprimit politik të këtij subjekti.

– Jeta kulturore, arti dhe sporti në kryeqytet janë shuar plotësisht. Kryetari Ahmeti ka ndërruar nja 4-5 drejtorë të departamentit të kulturës dhe ka nën-buxhetuar për 4 vite të tërë veprimtarinë kulturore. Asnjë projekt i vetëm nuk është përfunduar dhe asnjë ngjarje e vetme nuk mbahet në mend që është mundësuar apo iniciuar nga kryetari Shpend Ahmeti. Ndërtesa e Hamamit historik është në shkatërrim e sipër pas të ashtuquajturit “renovim” që përfundoi gjatë mandatit të kryetarit Ahmeti. Në kohën kur yjet me prejardhje kosovare po shkëlqejnë në botën e muzikës, artit modern e sportit, Prishtina asnjëherë nuk arriti t’i sjell ata para publikut të kryeqytetit. Prishtina ende s’ka sallë koncertesh, ende nuk ka hapësira vetanake që ndihmojnë skenën e artit. Vizioni I pushtetit në kulture është jo vetëm stagnues, ai paraqet regres të matshëm empirikisht.

– Kryetari I Prishtinës nuk ka treguar as ndonjë vizion ekonomik, përkundër faktit që tërë jetën ka punuar në OJQ që kanë bërë analiza ekonomike. Në këtë rast u dëshmua aksioma që analisti nuk është domosdoshmërisht edhe menaxher. Shpend Ahmeti, me orarin e tij personal të punës nga 11 e mesditës deri kah 3-4 e pasdites, nuk ka përmirësuar pjesëmarrjen e Prishtinës në Bruto Prodhimin Vendor. Nuk ka rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Nuk ka përkrahur projektet e ndërmarrësisë apo të inovacionit. Mund të kërkoni, por nuk gjeni dot as një statistikë të vetme që dëshmon se katër vitet e Shpend Ahmetit kanë sjellë ndonjë “boom” ekonomik. Larg asaj, Prishtina tani po ngec kryeqyteteve fqinje si Tirana, ku një kryetar vizionar çdo javë shpalos nga 10 projekte të filluara e të përfunduara e ku autobusët e rinj nuk janë dizelë dhe ndotës, por elektrik dhe të mirë për ambientin.

Argumentet për mungesë vizioni janë të bollshme. Nuk ka se si kryetari Ahmeti të mbrohet para të vërtetës lakuriqe që Prishtina me të i ka humbur 4 vite. Ai tenton të justifikojë veten duke u marrë me tema kombëtare dhe me çështje që nuk kryen punë një qytetari prishtinali. Justifikohet me diplomën e Harvardit.

Por diploma e një viti të studiuar në Harvard është argumenti më u fuqishëm kundër tij. Universiteti i famshëm amerikan ka spikatur të jetë lider i transformimit shoqëror dhe majës intelektuale. Vizioni i Harvardi, që gjeni në faqen e këtij institucioni është të “krijon dhe mirëmban kushte që mundësojnë studentët të eksperiencojnë një rrugëtim ta pakrahasueshëm që është transformativ intelektualisht, socialisht dhe personalisht”.

Ja që Kryetari Ahmeti nuk e ka këtë vizion. Dembelia personale, kombinuar me mungesë vizioni për transformim të vërtetë dhe një qytet që ka mbetur në pikën vendnumëro dhe degradim të përhershëm, është e kundërta e vizionit të Harvardit.

Universiteti i Harvardit ndoshta do të duhej të ishte i pari që e gjykon këtë kryetar për mungesën absolute të vizionit për transformim të qytetit tonë.

Fjalët kyçe: Harvardi, Prishtina, Trim Syla, Vizioni

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play Bow Master
  • Play Urban Basketball
  • Play Berry Rush