Vëzhgues të fatit

Pamjet e skëterrës urbane të Brukselit, do të duhej, sikur të kishte pak më shumë mend dhe maturi këtupari, të ndikonte tek politika kosovare dhe tek organizimi i shtetit të Kosovës.

Opinion

24/03/2016 10:59

Me këtë 24 mars, të vitit 2016-të pra, bëhen 17 vjet të plota të nisjes së fushatës ajrore të Paktit NATO, të pranverës së vitit 1999-të, e cila ndryshoi një herë e përgjithmonë fatin e Kosovës dhe krijoi rrethanat për bërjen e një Ballkani që do të synojë integrimin në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Për dallim prej manifestimeve të nduarnduarta për datat e shumta të viteve të luftës që tek ne kanë marrë tashmë vulën e ngjarjeve vendimtare për çlirimin e Kosovës, ky 24 marsi i vitit 1999, shënohet shkel e shko  (si thuhet), pa ngjarje të veçanta, sa për tu kthyer sërish në atë vitin e madh të Kosovës, duke i përsëritur po të njejtat xhirime të tomahaëk-ut  (raketës së njohur) të parë të lansuar pak para mbramjes së asaj dite (i cili më vonë mbërrinë në Prishtinë), pastaj duke i dhënë sërish pamjet me kolonat e refugjatëve shqiptarë që largohen nga Kosova, hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe kthimin e refugjatëve në atdhe.

Kaq e kemi ne me datën që lansoi Kosovën si rrëfimin kryesor të Botës së atij viti.

Ishim pra, jo vetëm kryelajmi i çdoditshëm në Botën e vitit 1999-të, por për më shumë, i gjithë kallëzimi për Kosovën dhe për ne, ishte pika më kulminante e Perëndimit që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë deri më sot. I shumëpërfoluri, asokohe, ‘Rendi i ri Botëror’, i kishte ato 15 minutat e famës pikërisht në Kosovë. E ne, si shqiptarët e Kosovës, ishim me një fat të jashtëzakonshëm për të qenë qendra e vëmendjes së Botës, për të pasë një kauzë të drejtë, për të fituar lirinë dhe të drejtën e zgjedhjes së fatit.

Gjithçka tash është më ndryshe në Botë.

Ky përvjetor i fillimit të fushatës së Paktit NATO, thuaja u përputh me një tjetër termet të (pa)sigurisë në Evropë, në Perëndim, të shkaktuar në Bruksel, këtë të martë, me 22 mars. Nuk kanë kaluar as pesë muaj të plotë nga goditja tronditëse e Parisit. Po paralajmërohen ngjarje të kësisojta edhe në javët e muajtë e ardhshëm.

Lajmet e Brukselit lanë gjithçka në hije tek ne, në Kosovë. U harruan, së paku për një ditë, gjitha marrëzitë politike të cilat janë bërë mbizotëruese ndër ne. U lidhëm pak me Botën edhe ne, sepse rëndom, sillemi thuajse asgjë që ndodhë në Ballkan, në Evropë dhe në Botë, nuk ka gjë të përbashkët me ne, thuajse kemi marrë farë ‘vaksine’ që na mbronë prej të gjitha problemeve ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht, nuk kemi kurfarë mekanizmi mbrojtës ndaj hiperproduksionit të telasheve me origjinë vendore.

Pamjet e skëterrës urbane të Brukselit, do të duhej, sikur të kishte pak më shumë mend dhe maturi këtupari, të ndikonte tek politika kosovare dhe tek organizimi i shtetit të Kosovës.

Para se të gjithash, rendi do të ishte të kuptohej shpërputhja tragji-komike midis mendësisë dhe veprimeve në politikën tonë, dhe prioriteteve të Evropës dhe të Perëndimit në përgjithësi. Pra, rendi është të ‘kyçemi’ në sistemin evropian të vlerave dhe prioriteteve. Është e vërtetë që ne jemi të izoluar  (kur bëhet fjalë për të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë), por ne nuk jemi ishull. Jemi të lidhur në qindra mënyra, për të mirë dhe për të keq, me rajonin, Evropën dhe Botën.

Pastaj, në vijim të kësaj ndërmarrjeje të imagjinuar e cila vështirë që do të ndodhë, do të duhej synuar trajtimin e duhur të krizës aktuale politike në vend, e cila aktualisht shënon një rënie kalimtare. Iluzion është të mendosh që këndjepari na janë shterrë burimet e çorodive politike të të gjitha llojeve.

Nuk duhet pritë që të bëhemi bashkë pas një të keqe të madhe politike, e cila do të jetë konsekuencë e çorodive vendore.

Në anën tjetër, nuk ka dyshim fare që edhe Kosova, herët a vonë, do të ballafaqohet me kërcënimin e goditjeve të llojit të Parisit dhe të Londrës. Është e domosdoshme që të bisedojmë hapur për këtë kërcënim, në të gjitha nivelet, duke nisë prej institucioneve qendrore të Kosovës, për të vazhduar në të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

24 marsi i vitit 1999, zatën, na bëri përfundimisht pjesë të Evropës dhe të Perëndimit, me të gjitha përgjegjësitë dhe të drejtat që na takojnë si shtet i pavarur.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)