Vetëvendosjes në Gjilan i ik Nënkryetari

Avni Rudaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e Nënkryetarit të Vetëvendosjes në Gjilan. Ai nuk ka dhënë arsye për këtë vendim, por ka thënë se sot do ta njoftojë Qendrën e Vetëvendosjes në Gjilan.

Lajme

07/02/2014 06:48

Nënkryetari i Vetëvendosjes në Gjilan, Avni Rudaku, ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur.

Rudaku ka shkruar në profilin e tij në Facebook se po largohet nga kjo lëvizje pas tri vitesh të aktivitetit aty.

Ai nuk ka dhënë arsyet e largimit, por ka bërë të ditur se ato do t’ia komunikojë Qendrës së Vetëvendosjes në Gjilan gjatë ditës së sotme.

“Miq, vetëvendosa: u largova nga Lëvizja Vetëvendosje! Nesër do t’ia dërgoj edhe letër-dorëheqjen Qendrës në Gjilan! Lamtumirë miq, shokë, anëtarë, aktivistë, përkrahes dhe struktura drejtuese! Faleminderit që ishim bashkë për tri vite e ca muaj!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, raporton agjencia rajonale e lajmeve nga Gjilani, 2lonline.

Rudaku ishte edhe kandidat i Vetëvendosjes për këshilltar komunal në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Vetëvendosje ka fituar katër ulëse, ndërsa respektimi i kuotës gjinore e ka lënë atë jashtë Asamblesë Komunale.

Ai ka qenë edhe kandidat i këtij subjekti politik në zgjedhjet nacionale të vitit 2010.