Vetëvendosje do ta mbështesë ligjin e veteranëve

Fati i veteranëve do të zbardhet nesër. E, për këtë, Vetëvendosje ka thënë se është pro Ligjit për ta. Pro janë edhe AAK-ja e PDK-ja.

Lajme

02/04/2014 22:33

Dita e nesërme do të jetë me emocione për veteranët e luftës së UÇK-së. Në Kuvendin e Kosovës lexohet për herë të dytë Ligji për ta e që ka për qëllim mirëqenien e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë thënë se e mbështesin këtë ligj të mërkurën në emisionin “Click” në RTV21.

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, tha se janë keqinterpretuar në lidhje me atë se kjo parti nuk e ka mbështetur Ligjin.

Ai tha se nesër do ta mbështesin Ligjin, në mënyrë që çështja e veteranëve dhe luftës të ketë edhe një infrastrukturë ligjore.

“Nuk mund të jem i kënaqur me këtë që numërohet si diçka nga e cila përfitojnë veteranët e luftës. Jemi ai Kuvend që nuk ua kemi dhënë veteranëve atë që u ka takuar. I kemi bërë amendamentet dhe nesër do të kërkojmë votën e të gjithëve”, ka thënë Selimi duke shtuar se megjithatë nesër do ta mbështesin Ligjin.

Ndërkaq Ahmet Isufi nga AAK, tha se insiston që Ligji të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që të njihet sakrifica e veteranëve edhe në mënyrë ligjore.

“Insistoj që të bëhet sa më shpejt ligji, insistoj të njihet sakrifica e dikujt me bazë ligjore. Ne të gjitha ligjet i kemi ndryshuar deri tash tri katër herë, pra mundësia e një qartësimi më të mirë ekziston edhe në të ardhmen. Prandaj Ligji meriton të bëhet sa më shpejt në mënyrë që të merremi me çështje që mundësojnë realizimin e tij”.

Në anën tjetër, Nait Hasani nga PDK, tha se Ligji i propozuar, është një nismë që siç tha ai “gjërat të bien në binarët e vet”, duke shtuar se “më pas ai mund të amendamentohet, varësisht nga rrethanat”, ka thënë ai në RTV21.