Vendoset lokacioni i Pallati Olimpik, në “Prishtina e Re” (Video)

Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi sot caktimin e lokacionit për ndërtimin e  Pallatit Olimpik. Ai do të ndërtohet në “Prishtina e Re”– zona qendër me 20 ari tokë, pjesa e kryeqytetit në drejtim të Hajvalisë.

Lajme

24/06/2014 13:58

Është miratuar të martën projekti i Pallatit Olimpik me shumicën e votave në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë të jenë kërkuar 20 ari tokë për këtë projekt, gjersa ka thënë se lokacioni i propozuar ka ardhur pas bisedave me Ministrinë e Kulturës, Rinsë e Sportit.

“Janë kërkuar rreth 20 ari tokë. Pas bisedave të zhvilluara me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shqyrtimi të planit urbanistik, propozohet lokacioni në kuadër të planit rregullues “Prishtina e Re” – zona qendër (në anën e djathtë të Pallatit të Drejtësisë).

Ahmeti ka vlerësuar këtë vend si pjesë e cila do të zhvillohet, pas një kohe me objekte administrative dhe si vend i përshtatshëm për t’u ndërtuar Pallati Olimpik.

“Mendojmë se do të jetë një pjesë goxha e zhvilluar pas një kohe me objekte administrative dhe është pjesë e përshtatshme për të ndërtuar Pallatin Olimpik”.

“E di që disa federative mund t’ju duket njëherë larg, por po ju tregoj se vend më të mirë për Pallat Olimpik nuk ka në Prishtinë, duke e ditur se sa është e ngarkuar zona e qendrës”, tha Ahmeti.