Vazhdon beteja për kufijtë e Mitrovicës

Kryetarët e dy komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri (jug) dhe Goran Rakiq (veri), kanë vazhduar betejën për kufirin që ndan dy komunat.

Lajme

02/02/2016 08:29

Bahtiri po kërkon të respektohet Pakoja e Ahtisarit, ndërsa Rakiq pretendon që t’ia marrë jugut katër fshatra shqiptare dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër.

Mitrovicë. Definimi i kufijve administrativë në mes të dy komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe asaj veriore ka mbetur sfidë edhe në vitin 2016 për kryetarët Agim Bahtiri (jug) dhe Goran Rakiq (veri).

Beteja për kufijtë e filluar pas 25 gushtit të vitit të kaluar, do të vazhdojë edhe në vitin 2016, pasi që kjo çështje është pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ku kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave.

Përveç marrëveshjes për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, për të cilën Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shpallur tenderin, gjithçka tjetër ka mbetur ashtu siç ishte, barrikada e gjelbër, të cilën serbët e quajnë “Parku i paqes” ka mbetur e palëkundur, por që nga të gjitha anët është rrethuar me pllaka të llamarinës, ndërkohë që kryetarët Bahtiri e Rakiq, kurrsesi të merren vesh për vendosjen e kufirit në mes të dy komunave.

Kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, insiston që kufiri të vendoset sipas rekomandimeve që të dalin nga Pakoja e Ahtisarit, ndërkohë Rakiq ka pretendime shumë më të mëdha, që komunës me të cilën udhëheqin ai dhe Aleksandër Spiriq, kryetar i Organit të Përkohshëm, një strukturë komunale e vendosur nga Qeveria e Serbisë, t’ia shtojnë edhe katër fshatra shqiptare që aktualisht i takojnë Mitrovicës jugore, Suhadolli, Gushavci, Vinarci dhe Vidimiriqi, si dhe e gjithë rrjedha e lumit Ibër.

Në këtë mënyrë, Rakiq dhe ideologët tjerë serbë dëshirojnë ta bëjnë një Mitrovicë të madhe në veri./Zëri