Vatikani: Krishtlindja është për të gjithë, ja ç’domethënie kanë simbolet e saj

"Jemi shumë afër Krishtlindjes, e në udhën tonë drejt Betlehemit, vendit ku Jezu Krishti lindi, ndërsa vazhdojmë ta përshpejtojmë përgatitjen tonë shpirtërore, duam të ndalemi te domethënia simboleve që karakterizojnë Krishtlindjen," njofton sot Radio Vatikani.

Fun

19/12/2016 13:58

Sipas kësaj radioje, “Krishtlindja, është kremte e dhuratës. Hyji ua bën dhuratë Vetveten gjithë njerëzve, të gjithë banorëve të tokës, që gëzimi i tyre të shndrisë, si drita në mes terrinave të natës.  Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhunti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e tij të dashur.

Jezu Krishti është dhuntia e Hyjit! Ai është prova më e madhe e dashurisë së Zotit, Atit tonë qiellor për ne.

Betlehemi ndodhet në malësitë e Judesë. Është qyteti, ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Qytet i etërve të Jozefit. Ndryshon shumë nga Jerusalemi, kryeqyteti krenar, 7 kilometra më në veri të vendit.Shpëtimtari, është fjalë që përdorej dendur në kohën e Jezusit. E do të përdorej edhe më shumë në kohët, që do të vinin, në ditët tona e në ditët, që nuk kanë aguar akoma, për të dëbuar errësirën. Njerëzit kërkonin, kërkojnë e do të kërkojnë një shpëtimtar, sepse kanë gjithnjë nevojë për shpëtim. Por, duhet dalluar shpëtimtari nga Shpëtimtari: të mos harrojmë. Asokohe edhe perandori romak quhej ‘shpëtimtar’.Po Jezusi nuk është perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor. Ai është Mesia! Është Zoti!Grazhdin e dinë të gjithë ç’do të thotë; është vendi ku vihet ushqimi për gjënë e gjallë, për kafshët. Në një grazhd do ta pushonte shtatin Jezusi i posalindur, sepse për Të nuk u gjend asnjë vend tjetër në gjithë qytezën e Betlehemit. Barinjve u jepet pikërisht kjo shenjë, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni një foshnjë, të vënë mbi një grazhd”. Barinjtë atëherë u nisën dhe e gjetën të vënë mbi kashtën e një grazhdi.”