USAID jep 89 bursa për studentët e Kosovës

Ambasada e Amerikës dhe USAID-i i kanë dhënë 89 bursa për nivelin master të studimeve për studentë kosovarë të cilët do të studiojnë në fusha të ndryshme në universitete amerikane.

Lajme

26/02/2015 17:45

Ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson ka thënë se shteti i Amerikës është shumë i hapur që të ofrojë mundësi sa më të mëdha për të rinjtë e Kosovës të cilët do të marrin përvoja të ndryshme atje dhe t’i bartin në Kosovë.

“Jemi të kënaqur shumë që këtë vit nga 46 e kemi shtuar numrin në 89 bursa, gjë që tregon sa të hapur jemi ne, na tregon se jemi duke gjeneruar interes në këtë program dhe të gjithë ju po vini prej gjithkah, prej komuniteteve të ndryshme, vajza, djem, prej degëve të ndryshme pa marrë parasysh a ka të bëjë me biznes, studime gjinore apo marrëdhënie ndërkombëtare, ju e përfaqësoni më të mirën e Kosovës, na vjen shumë mirë që e kemi një numër kaq të madh këtu”, ka thënë ajo.

Edhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Hope ka thënë se Kosova ka bërë shumë ndryshime për këto 15 vjet të fundit, duke shtuar se edhe me studimin e këtyre të rinjve në universitetet e SHBA-ve mund të bëhen ndryshime pas kthimit të tyre në vend.

“Nëse mund ta citoj Mandelën, kur ka thënë se edukimi është mjeti më i fortë për të arritur ndryshime, dhe nëse dikush e kupton ndryshimin kosovarët e kuptojnë atë sepse kanë arritur gjithë ato ndryshime gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, prandaj i kemi të gjitha këto dallime dhe ndryshime”, ka deklaruar ai.

Kurse, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se është një kënaqësi e veçantë që po promovohet grupi i dytë i programit për lidership.

“Ky projekt mban emrin transformimi i lidershipit dhe vërtetë ky projekt do të ndihmojë që të transformojmë lidershipin në Kosovë dhe jam i sigurt se ju jeni njerëzit që do ta përfaqësoni në mënyrë të denjë Kosovën

“Natyrisht që qeveria e Kosovës ju mirëpret që të ktheheni sa më shpejt me studime të përfunduara dhe të kyçeni në proceset akademike”, ka deklaruar ai.

Programi për lidership transformues i ka ndarë 89 bursa për studentët kosovarë që do të fillojnë studimet e tyre në nivelin master në SHBA në vjeshtë të vitit 2015.

Të rinjtë mund të studiojnë në programe si: financa publike, biznes, ekonomi, bujqësi, teknologji informative, pedagogji, zhvillim ndërkombëtar, edukim etj.