Urime për Krishlindjet

Presidentja Jahjaga, Myftiu Naim Tërnava, Kryeministri Thaçi dhe Kryeparlamentari Krasniqi kanë uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Krishtlindjeve.

Lajme

24/12/2013 12:15

Në ditën e festës së Krishtlindjeve, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ka pranuar telegramet e urimit nga krerët e vendit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjga, në telegramin drejtuar Ipeshkvisë së Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë duke ju uruar mirëqenie dhe harmoni në familjet e tyre .

“Në këtë ditë të shenjtë të Krishtlindjes, me respekt ju përcjelli urimet më të përzemërta Juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë në Republikën e Kosovës”.

“Uroj që solidariteti, harmonia, mirëqenia dhe mirëkuptimi të mbretërojnë në çdo familje.”

“Republika e Kosovës, vlerë themeltare e ka tolerancën dhe mirëkuptim ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj”.

“Të gjithë besimtarëve katolikë, Ju uroj që Krishtlindjen ta kaloni në atmosferë tolerance, paqeje dhe dashurie me familjet tuaja”.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar telegram urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, në të cilin atij dhe të gjithë besimtarëve katolikë u uron Kërshëndellat.

“Urimet tona më të sinqerta me dëshirë për shëndetin, lumturinë dhe mirëqenien Tuja”.

“Festat fetare te populli ynë çdoherë kanë qenë vlera e virtyte që na kanë bashkuar, duke reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën e ndërgjegjësimin dhe shfaqë bindjen se kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë ai.

I pari i Qeverisë, Hashim Thaçi, ka uruar Imzot Dedë Gjergjin dhe të gjithë besimtarët katolikë duke ju uruar paqe dhe harmoni në familjet e tyre.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju uroj festën e Krishtlindjeve me besimin se kjo ditë do t’i gjej në harmoni të plotë familjare miliona besimtarë të krishterë anembanë botës”.

“Krishtlindjet mbartin në vete mesazhin e paqes, të lindjes, mbarësisë dhe humanizmit, vlera këto të njerëzimit që bashkojnë mendjet e shpirtrat për një të ardhme më të ndritur për brezat që do të vijnë”.

“Uroj që toleranca, paqja dhe dashuria mes njerëzve të mbretërojë në këtë ditë feste”.

“Duke përgëzuar gjithë besimtarët e krishterë në Kosovë dhe kudo që janë, uroj që këtë festë ta kaloni sa më mirë pranë  familjeve dhe të dashurve, me shëndet, mirëqenie dhe përmbyllje të suksesshme të vitit që po e lëmë pas”.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në telegramin e tij urues ka theksuar se kjo ditë simbolizon lindjen në besim në Zot, ditë kjo që ka për qëllim çrrënjosjen e së keqes.

“Kam kënaqësinë që në emrin tim dhe të Kuvendit të Kosovës, në këtë ditë të shenjtë, t’ju uroj Juve dhe të gjithë besimtarëve që Ju u prini, Ditën e Krishtlindjeve”.

Kjo ditë simbolizon ditën e lindjes  dhe forcimit të besimit në Zotin. Krishtlindjet duhet të na japin fuqi të mbijetojmë në përballjet tona të përditshme, duke pasur si qëllim të çrrënjosim të keqen dhe padrejtësinë kudo që shfaqen ato”, ka shkruar Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në telegramin e tij drejtuar Ipeshkvisë së Kosovës.