U nis për të arkëtuar 5,000 euro nga loto, mori 73 milionë

Një francez e ka mbajtur një muaj në portofol një loto tiket, duke menduar se ka fituar 5,000 euro, por kur shkoi për të arkëtuar ato mjete, mori vesh që në fakt ka fituar 73 milionë euro.

Bota

21/01/2015 23:53

Xhekpoti i kësaj shume milionëshe, që është e treta për nga lartësia në Francë deri tash, është tërhequr më 2 dhjetor të vitit 2014.

Fituesi fatlum nga verilindja e Francës, ka luajtur lojën “Euromilion” përmes internetit dhe thjesht ka harruar t’i konfirmojë numrat, kurse kur e bëri këtë përfundimisht dhe shkoi në vendin ku e kishte paguar, atij iu tha se fitimi i tij tejkalon shumën prej 5,000 eurove dhe se për këtë arsye duhet të drejtohet në qendër.

“Sikur të isha paraqitur tre javë më vonë, nuk do të merrja asgjë. Për fat të mirë, gjithçka përfundoi mirë. Kur më kujtohet se më shumë se një muaj e kam bartur në portofol tiketën fituese prej 73 milionësh, tmerrohem”, tha ai për mediumet franceze.

“Kurrë asgjë nuk kam fituar. Kam luajtur me shpresë se një ditë do të fitojë ndonjë shumë të vogël”, tha ky milioner i ri, i cili kur u paraqit në Lotarinë e Francës, i thanë: “Ju kemi pritur”.