Turqia rrethon qendrën e qytetit Afrin të Sirisë

Forcat e Armatosura të Turqisë njoftuan se qendra e qytetit Afrin në Sirinë veriperëndimore, në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” të nisur nga Turqia, është rrethuar që nga dita e djeshme.

Bota

13/03/2018 10:00

Në një deklaratë me shkrim, Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë tha se qendra e qytetit Afrin është rrethuar si rezultat i operacioneve në vazhdim që zhvillohen në rajon dhe se “zona kritike të rëndësishme” janë rrethuar.

Ushtria turke, mëngjesin e sotëm, poashtu bëri të ditur se gjithsej 3.393 terroristë janë “neutralizuar” që nga fillimi i operacionit.

Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të pastruar terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini, transmeton Anadolu Agency.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, operacioni synon të krijoj siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit dhe njëkohësisht të mbrojë sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.

Nga atje theksojnë se operacioni është duke u zhvilluar në kuadër të të drejtave të Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), të drejtat e vetëmbrojtjes në bazë të Kartës së OKB-së, si dhe në respektin për integritetin territorial të Sirisë.

Ushtria gjithashtu potencoi se vetëm objektivat e terrorit janë duke u shkatërruar dhe se “kujdes maksimal” është duke u dhënë për të shmangur dëmtimin e civilëve.