Trumpi shpall gjendje të emergjencës kombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës me qëllim që t’i sigurojë mjetet financiare për ndërtimin e murit.

Bota

15/02/2019 18:20

Ai do ta përdorë deklaratën e emergjencës kombëtare për t’i shpenzuar të hollat e taksapaguesve pa miratimin e Kongresit. Presidenti amerikan i ka kërkuar 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e këtij muri, gjë të cilën Kongresi e kishte refuzuar.

Pritet që ky vendim, i cili po vlerësohet si masë antikushtetuese nga kritikët, do të përballet me sfida në aspektin juridik. Madje, edhe disa anëtarë të Partisë Republikane, së cilës i përket presidenti, kanë thënë se ndërtimi i murit në kufi me Meksikën është ide e keqe.

Presidenti amerikan e ka justifikuar ndërtimin e këtij muri me dukurinë e trafikimit të njerëzve dhe drogës në pjesët e kufirit ku nuk ka pengesë fizike, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.