Trump: Kush e djeg flamurin amerikan humbje e shtetësisë ose 1 vit burg

Presidenti i zgjedhur Donald Trump bëri thirrje për dënime të ashpra ndaj protestuesve që djegin flamurin amerikan, edhe pse Gjykata e Lartë e vendit ka shpallur se kjo është një formë e shprehjes së së lirë që mbrohet me ligj.

Bota

29/11/2016 17:23

“Askush, – tha Trump në Twitter, – nuk duhet të lejohet të djegë flamurin amerikan; nëse dikush e bën, duhet të ketë pasoja, ndoshta humbja e shtetësisë apo një vit burg”.

Presidenti i zgjedhur i bëri komentet pak ditë pas vendimit të një kolegji në shtetin Massachusetts, i cili ndaloi ngritjen e flamujve amerikanë, pas dyshimeve se studentët dogjën një flamur në shenjë proteste ndaj fitores së zotit Trump në zgjedhje, transmeton voa.

Në dekadat e fundit, ligjvënësit amerikanë janë përpjekur disa herë të ndalojnë djegien apo përdhosjen e flamurit. Por në vitin 1989 Gjykata e Lartë shpalli se ligjet që ndalojnë djegien e flamurit si formë proteste janë jokushtetuese.