Torres, më mirë në Inter

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho ka thënë se preferonte që Fernando Torres të transferohej në Inter, para Milanit, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sport

04/09/2014 16:22

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho ka bërë të ditur se preferonte që Fernando Torres të transferohej në Inter, para Milanit.

Ylli spanjoll iu bashkua Rossonerëve në marrëveshje të huazimit dyvjeçar nga Blues, në prag të mbylljes së afatit kalimtar të verës. Por, Mourinho ka shpjeguar se ai do të kishte dashur që Torres të nënshkruante me ish skuadrën e tij, Nerazzurrët.

“Jam Interist, andaj do të kishta preferuar që ai të shkonte në Inter”, deklaroi Mourinho gjatë seminarit të trajnerëve të UEFA-së në Nyon.

“Megjithatë, shpresoj që ai të paraqitet mirë në Milan. Krejt qka mund të them për Fernandon është se si person dhe si profesionist, nuk ka dyshime rreth tij. Ai është djalosh dhe profesionist fantastik. Megjithatë, kishte nevojë për një ndryshim të skenarit”, u shpreh “Special One”.