Tifozët e Interit kundër Mazzarrit

Një pjesë e publikut në Giuseppe Meazza e vërshëlleu emrin e trajnerit Walter Mazzarri. Arsyet janë të ndryshme, por kanë të bëjnë edhe me Javier Zanettin.

Sport

10/05/2014 22:28

Publiku i Interit është i ndarë sa i përket të ardhmes së trajnerit Walter Mazzarri.

Me rastin e fillimit të ndeshjes kundër Lazios, një pjesë e shikuesve ka vërshëllyer pas përmendjes së emrit të trajnerit Mazzarri nga ana e spikerit të stadiumit.

Kjo për faktin se Inter ka kaluar një edicion dëshpërues.

Mirëpo, Mazzarri besohet se është vërshëllyer edhe për faktin se ka lënë legjendën e klubit Javier Zanetti në bankën e rezervistëve, në ndeshjen e tij të lamtumirës nga futbolli, dhe të fundit në Giuseppe Meazza.

Presidenti i Interit, Erick Thohir ka thënë se skuadra do të vazhdojë të drejtohet nga Mazzarri, por raporti i tij me tifozët e klubit nuk është ai i duhuri.